Kai Havertz kërkohet nga disa klube dhe dëshira e tij është që ta largohet nga Bundesliga, edhe pse Bayern Munich interesohet për shërbimet e mesfushorit. Së fundmi ai ka spikatur edhe si sulmues, ndërkohë që Real Madrid ka bërë një ofertë mjaft interesante. Gjithsesi Bayer Leverkusen e ka hedhur poshtë.
Madrilenët, sipas BILD, kanë ofruar 80 milion euro për kartonin e mesfushorit dhe pjesë më interesante është fakti që ata janë të gatshëm të presin verën e vitit 2021 për ta pasur në skuadër Havertz. Kështu “Aspirinat” do të kishin shërbimet e tij edhe për një tjetër sezon.
Leverkusen, nisur edhe nga interesimi i shumtë, pasi veç Bayern Munich edhe Manchester United e pëlqen, kërkon 100 milion euro për ta shitur Havertz. Gjithashtu ata marrin për bazë edhe shumën që Atletico Madrid pagoi për Jao Felix (126 milion euro).
Kështu, 100 milion euro atyre u duken një shifër normale dhe do të jenë në pritje të ofertës zyrtare. Havertz para pak ditësh ka festuar 20 vjetorin e lindjes,ndërkohë që këtë sezon në Bundesliga ka shënuar 11 gola në 26 ndeshje, duke u bërë një nga lojtarët më të kërkuar në merkato. /abcnews.al