Pas vrasjes së dy vëllezërve në Krujë dhe një seri ngjarjesh të tjera kriminale të ndodhur kohët e fundit në vendin tonë, ka reaguar Partia Demokratike.
Ish-deputeti i kësaj partie, Enkelejd Alibeaj, në një dalje për mediat nga selia blu, është shprehur se bilanci i ngjarjeve kriminale në vend janë tregues për dështimin e kryeministrit Edi Ramës me rendin dhe sigurinë.
Sipas Alibeajt, mungesa totale e shtetit dhe lënia e territorit nën kontrollin e krimit, ka krijuar një situatë të përkeqësuar për sigurinë e jetës së qytetarëve.
Deklaratë e Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj:
2 vrasje mafioze në Krujë, 2 vrasje të njëpasnjëshme në Vlorë, njëra në formën e një atentati mafioz, 2 vrasje për larje hesapesh në Kurbin, shpërthim tritoli nga Tirana në Vlorë, ky është bilanci i policisë së Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt brenda 10 ditëve të fundit.
Krimi bën festë, ndërsa policia ka ikur në drejtim të paditur. Krimi e ka mposhtur shtetin, sepse shefi i policisë së Edi Ramës është i zënë duke i bërë gjyqin një gruaje, pasi policia është e zënë duke rrahur fëmijë.
Vrasjet, shpërthimet me tritol, atentatet nuk parandalohen dhe autorët nuk gjenden, sepse policia e Edi Ramës është e zënë me shfaqjet e turpshme me dron antikanabis, që zbulojnë vetëm 30 fidanë, sepse policia nuk lufton krimin, por rreh qytetarët që protestojnë në mbrojtje të Teatrit.
Mungesa totale e shtetit dhe lënia e territorit nën thundrën e krimit, ka krijuar një situatë të përkeqësuar për sigurinë e jetës së qytetarëve.
Vrasja e dyfishtë mbrëmë, në Krujë, është vetëm episodi i radhës, që ka plotësuar serialin e gjakshëm në vend ku fjalët ligj, rend, siguri tashmë janë bërë të huaja.
Janë të gjitha akte që frymëzohen nga mbrojtja e dhunës shtetërore prej Edi Ramës, Sandër Lleshajt dhe Ardi Veliut.
Edi Rama, si strategu i të gjithë kësaj psikoze dhune dhe krimi që ka zaptuar vendin, nuk gjen asnjë shenjë pendese apo dhembshurie në rastin e fatkeqësisë së përdhunimit të një të miture 15 vjeçare, por i vërsulet kujtdo që kërkon llogari për këtë situatë.
Nën një justifikim të rremë, se kërkesa e llogarisë ndaj tij, ministrave të tij, pushtetit të tij, “është e dhunshme”, jep prova ditë pas dite se mënyra e vetme për t’i shpëtuar përgjegjësisë është sulmi ndaj çdo zëri që ndjehet i revoltuar me këtë situatë.
Dhunë, përdhunime, krim, plagosje, vrasje! Kjo është gjendja që përjetojnë shqiptarët tani pas situatës së pandemisë, në një kohë shumë të shkurtër./abcnews.al