Kreu i PDK’së, Kadri Veseli i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurtit të hapë urgjentisht kufirin me Shqipërinë.
Përmes një postimi në Facebook, Veseli ka shkruar se sa ishte në opozitë, Kurti thërriste për bashkim kombëtar, ndërsa, tani si kryeministër është duke i ndarë shqiptarët.
“Albin Kurti dështoi edhe një herë me Shqipërinë. Në opozitë, thërriste për bashkim kombëtar, ndërsa si Kryeministër po i ndan shqiptarët. Kjo Qeveri, që hapi kufirin me Serbinë, duhet urgjentisht ta hapë kufirin me Shqipërinë, pa kurrfarë pengese, në të mirë të qytetarëve të të dyja vendeve. Ky maltretim është i papranueshëm”, ka shkruar ai.
Kujtojmë se prej ditës së djeshme qytetarët e Shqipërisë hasin pengesa për të kaluar kufirin në Kosovë për shkak të një vendimi të qeverisë kosovare.
LEXO EDHE: Edhe sot të bllokuar në Morinë, Policia e Kosovës për Abc News: Test negativ ose 7 ditë karantinë
Sipas vendimit lejohet futja vetëm për ata që kishin bërë një test dhe kishin dalë negativ brenda katër ditësh ose të qendronin për 7 ditë në karantinë. /abcnews.al