Presidenti Ilir Meta ka kthyer për shqyrtim në Kuvend ligjin për shërbimet e pagesave.
Në arsyetimin e tij për kthimin e këtij ligji Meta thotë se ai nuk përcakton qartë kriteret dhe shkeljet, por funksionet e qarta dhe shteruese mbikëqyrëse të autoritetit licencues dhe mekanizmave mbi mënyrën e ushtrimit të kësaj mbikëqyrjeje.
Kreu i Shtetit thekson se ligji nuk është në harmoni me legjislacionin penal të Republikës së Shqipërisë, duke krijuar problematikë në punën e organeve ligjzbatuese në ushtrimin e ndjekjes penale për vepra penale që mund të konsumohen nga subjekte.
“Nuk është në harmoni me legjislacionin penal të Republikës së Shqipërisë, duke krijuar problematikë në punën e organeve ligjzbatuese në ushtrimin e ndjekjes penale për vepra penale që mund të konsumohen nga subjekte, që përdorin shërbimet sipas këtij ligjit apo përmes veprimtarisë ekonomikë të lejuar prej tij;
– si dhe krijon mbivendosje me legjislacionin aktual në fuqi duke lënë hapësira që për të njëjtën shkelje, ofruesi i shërbimeve të penalizohet dy herë, nga dy organe të ndryshme”, thotë Meta.
Arsyetimi i presidentit Ilir Meta
Sipas dokumentacionit të shqyrtimit parlamentar rezulton se ligji është propozim i Këshillit të Ministrave dhe ka për qëllim krijimin e kuadrit ligjor për funksionimin e shërbimeve të pagesave në Republikën e Shqipërisë, duke e përafruar pjesërisht me Direktivën 2015/2366 BE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, të datës 25 nëntor 2015, “Për shërbimet e pagesave në tregun e brendshëm”.
Presidenti i Republikës shqyrtoi ligjin nr. 55/2020 “Për shërbimet e pagesave” duke iu referuar përmbajtjes së aktit të dërguar për dekretim dhe shpallje, praktikës parlamentare të ndjekur për këtë qëllim, duke bërë një vlerësim dhe analizë të kujdesshme të parashikimeve të aktit, edhe në raport me rekomandimet që duhet të përmbushë Republika e Shqipërisë në kuadër të raporteve të organizmave ndërkombëtare për eleminimin e rreziqeve për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftës së financimit të terrorizmit, përfshirë rekomandimet e Komitetit të Moneyval të Këshillit të Evropës.
Rregullimi i shërbimeve të pagesave me ligj të posaçëm është shumë i mirëpritur, veçanërisht kur ky ligj, duke parashikuar mundësinë e operatorëve të tjerë ekonomikë për të zhvilluar aktivitet në fushën e shërbimit të pagesave përkundrejt licencës përkatëse, rrit konkurrencën në treg. Rritja e konkurrencës patjetër që do të ndikojë si në uljen e kostos së transaksioneve të pagesave, si në rritjen e cilësisë së shërbimit, ashtu dhe në rritjen e aksesit në informacion të qytetarëve mbi mundësitë e kryerjes së pagesave përmes këtij shërbimi.
Gjithashtu, ky ligj vlerësohet pasi ofron një mundësi më shumë zgjedhjeje për konsumatorin. Ndërsa parashikimi i krijimit të një zyre të veçantë për shqyrtimin e ankesave të konsumatorit, forcon edhe më shumë mbrojtjen e tij. Por nga ana tjetër, në raport me vetë procesin e licencimit dhe mbikëqyrjes së shoqërive të licencuara që do të zhvillojnë aktivitetin në fushën e shërbimit të pagesave, ligji paraqet disa problematika të cilat krijohen nga paqartësia e disa dispozitave; mungesa e harmonisë së tyre me 3 legjislacionin ekzistues; apo nga hapësira që disa dispozita krijojnë për keqzbatim në praktikë, të cilat do të shtjellohen në vijim.
Reflektimi mbi këto problematika dhe adresimi i tyre nga Kuvendi i Shqipërisë do të ofrojë një terren më të sigurtë ligjor për operatorët ekonomikë dhe në ruajtjen të pacenuar të interesit publik në tërësi.
Për këtë qëllim, në bindje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1, të nenit 85 të saj, Presidenti i Republikës ka vendosur që ky ligj i duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit, për argumentet e renditura si më poshtë, pasi në disa dispozita, ky ligj paraqet këto mangësi:
– Mospërcaktimi i kritereve të qarta të licencimit të institucioneve të pagesave;
– Mospërcaktimi i shkeljeve konkrete që çojnë në vendimmarrjen për heqjen e licencës të institucioneve të pagesave;
– Mospërcaktimi i funksioneve të qarta dhe shteruese mbikëqyrëse të autoritetit licencues dhe mekanizmave mbi mënyrën e ushtrimit të kësaj mbikëqyrjeje.
Të gjitha këto mangësi të konstatuara cenojnë parimet kushtetuese të sigurisë juridike, lirisë së ushtrimit të veprimtarisë ekonomike, trajtimit të barabartë përpara ligjit, duke mos garantuar plotësisht jo vetëm sigurinë e administrimit të fondeve që qarkullojnë përmes institucioneve të pagesave, por edhe duke krijuar rrezikun potencial të keqpërdorimit të tyre me qëllime kriminale, si ato të pastrimit të parave apo të financimit të terrorizmit.
Për më tepër, në disa dispozita të tij, ligji nr. 55/2020: – nuk është në harmoni me legjislacionin penal të Republikës së Shqipërisë, duke krijuar problematikë në punën e organeve ligjzbatuese në ushtrimin e ndjekjes penale për vepra penale që mund të konsumohen nga subjekte, që përdorin shërbimet sipas këtij ligjit apo përmes veprimtarisë ekonomikë të lejuar prej tij;
– si dhe krijon mbivendosje me legjislacionin aktual në fuqi duke lënë hapësira që për të njëjtën shkelje, ofruesi i shërbimeve të penalizohet dy herë, nga dy organe të ndryshme. Konkretisht:
- Një ndër objektet e ligjit nr. 55/2020 është dhe krijimi, licencimi, organizimi, veprimtaria dhe mbikëqyrja e institucioneve të pagesave. Sa i përket licencimit, si hapi i parë për lejimin e ushtrimit të veprimtarisë në fushën e shërbimit të pagesave, ligji ka përcaktuar në nenin 7 të tij, të dhënat që duhet të shoqërojnë kërkesën për licencimin si institucion i pagesave.
Një ndër kërkesat për licencimin në këtë fushë, është dhe zotërimi i kapitalit fillestar minimal të kërkuar (sipas nenit 7, shkronja “c)” e ligjit). Po për përmbushjen e këtij kriteri, në nenin 9 të ligjit përcaktohet se:
“Banka 4 e Shqipërisë përcakton me akt nënligjor shumën e kapitalit fillestar minimal të kërkuar për institucionin e pagesave dhe përcakton elementet përbërëse të tij”. Për sa kohë që zotërimi i shumës minimale të kapitalit fillestar lidhet direkt me aksesin në pajisjen me licencë, ndërsa nga ana tjetër, zotërimi i kësaj shume shërben si garanci për stabilitetin financiar të një shoqërie që vepron në këtë fushë, në funksion të mbrojtjes së parimit të sigurisë juridike, ligji duhet të ketë të përcaktuar qartë parime për përcaktimin e këtij kufiri minimal monetar, apo nivele konkrete orientuese minimale.
Vetëm kështu mund të balancohet nevoja për akses në këtë lloj veprimtarish ekonomike, me kërkesat për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e fondeve të qytetarëve për kryerjen e pagesave, që qarkullojnë përmes këtyre veprimtarive. Pra, për të ofruar garanci maksimale për qarkullimin përmes institucioneve të pagesave, ligjvënësi mund të kishte përcaktuar në këtë ligj vlerën minimale dhe maksimale të garancisë që një subjekt duhet të përmbushë si kusht në momentin e shqyrtimit të kërkesës së tij për licensim. Ndërkohë që brenda këtij marzhi të vendosur nga Kuvendi me ligj, Banka e Shqipërisë mund të saktësojë nivelin minimal të shumës dhe elementet përbërëse të tij për çdo lloj licence për të cilën subjekti aplikon. Kjo mënyrë ofron garanci më të lartë për qytetarët dhe krijon një terren të sigurtë ligjor. 1.2
Për të njëjtat arsye si më sipër, ligji duhet të përcaktojë qoftë në mënyrë orientuese, nivelet mbi kapitalin rregullator të detyrueshëm për t’u mbajtur në çdo kohë nga një institucion i pagesave, pavarësisht kapitalit fillestar minimal. Ky orientim mungon në pikën 1, të nenit 11. 1.3 Në pikën 2, të nenit 11, kërkohet që Banka e Shqipërisë, bazuar në një vlerësim të proceseve të administrimit të rrezikut, rrezikut të humbjes së të dhënave bazë dhe të mekanizmave të kontrollit të brendshëm të institucionit të pagesave, mund t’i kërkojë institucionit të pagesave që të mbajë një shumë kapitali rregullator (fonde të veta) deri në 20 % më të lartë se shuma e llogaritur sipas përcaktimit në aktin nënligjor të Bankës së Shqipërisë.
Në këtë pikë, mungojnë kriteret për kryerjen e këtij vlerësimi, që çojnë në legjitimimin e Bankës së Shqipërisë t’i kërkojë një institucioni të pagesave rritjen e shumës së kapitalit rregullator. Një parashikim i tillë, pa asnjë kriter mbi llojin e rrezikut mbi proceset administrative që mund të çojë Bankën e Shqipërisë në këtë vendimmarrje, cenon parimin e sigurisë juridike, duke shkaktuar pasiguri të theksuar në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike nga subjektet e licencuara.
1.4 E njëjta pasiguri si më sipër vjen edhe nga parashikimi i nenit 25, pika 4 të ligjit, që përcakton se Banka e Shqipërisë, në rast se vlerëson se ushtrimi i veprimtarive të tjera të ndryshme nga 5 veprimtaria e shërbimit të pagesave dëmton, ose mund të dëmtojë qëndrueshmërinë financiare të institucionit të pagesave, në përputhje me pikën 2, të këtij neni, i kërkon institucionit të pagesave kapital të mjaftueshëm, krahas kërkesave sipas neneve 9, 10 e 11, të këtij ligji.
Edhe ky parashikim që lë një marzh të gjerë vlerësimi dhe vendimmarrjeje, duhet të përcaktohet më qartë, duke orientuar mbi nivelin minimal e maksimal brenda të cilit, mund të kërkohet nga Banka e Shqipërisë rritja e kapitalit, për t’u konsideruar “i mjaftueshëm”. Pra Bankës së Shqipërisë, do të duhet t’i jepet një autorizim prej Kuvendit për të qenë fleksibël në raste të vlerësimit të rrezikut për çdo subjekt të licencuar, por kjo liri veprimi nuk mund të jetë kaq e paqartë në ligj, pasi krijon rrezikun e aplikimit preferencial të vlerësimit ndaj subjekteve të ndryshme./abcnews.al