Një aplikacion për gjurminin e kontaktit do të përdoret në Itali pasi është aprovuar nga organi kombëtar, tha të hënën Ministria e Shëndetit e vendit.
Aplikacioni, i quajtur Immuni, “respekton normat italiane dhe europiane të privatësisë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Shëndetësisë. Mund të shkarkohet falas nga Apple dhe Google.
Duke përdorur teknologjinë Bluetooth, telefonat inteligjentë që shkarkojnë aplikacionin do të shkëmbejnë kode të rastësishme – por jo informacione që mund të identifikojnë pronarët e pajisjeve siç janë emrat, postat elektronike, numrat e telefonit ose të dhënat GPS.
“Aplikacioni është në gjendje të përcaktojë se kontakti ka ndodhur midis dy përdoruesve, pa e ditur se kush janë ata përdorues dhe ku ka ndodhur kontakti,” tha kompania me qendër në Milano, Bending Spoons, e cila zhvilloi aplikacionin.
Kur dy smartphone të cilët kanë instaluar aplikacionin dhe kanë aktivizuar Bluetooth janë në afërsi, ata ruajnë kodin e njëri-tjetrit, duke marrë parasysh kohën e takimit dhe distancën midis dy pajisjeve.
Nëse pronari i pajisjes teston pozitiv për Covid-19, me aprovimin e tyre një operator i kujdesit shëndetësor do të transferojë kodin e koduar të pajisjes së tyre në një server, dhe çdo individ që gjithashtu ka shkarkuar aplikacionin dhe ka qenë në kontakt të ngushtë me personin e infektuar do të marrë një njoftim , sqaron deklarata e Ministrisë së Shëndetësisë.
Përdoruesit duhet të jenë të paktën 14 vjeç, dhe ata midis 14 dhe 18 duhet të kenë autorizimin e të paktën të një prindi ose kujdestari ligjor për ta shkarkuar atë.
Katër rajonet e para që do të përdorin aplikacionin në 8 qershor do të jenë Abruzzo, Liguria, Marche dhe Puglia./abcnews.al