Pampuri për Veliun: Dhunoi për herë të dytë adoleshentin, me zë dhe figurë

schedule17:38 - 29 Maj, 2020

schedule 17:38 - 29 Maj, 2020

Në një deklaratë për mediat, ish-deputetja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri është shprehur se kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu e ka dhunuar për herë të dytë adoleshentin që u qëllua tek Parku i Liqenit.

Ish-deputetja e PD, transmetoi edhe një herë videon ku Veliu tregon se ” nga çfarë nëne është edukuar adoleshenti që u dhunua tek Liqeni nga 5 oficerë policie.

Pampuri u shpreh:

“Pak ditë më parë e gjithë Shqipëria pa e tronditur sesi një 15-vjeçar u rrah barbarisht nga policia në Tiranë se kishte shkelur orarin e karantinës. Ndaj policit me sjellje shtazore, sot nuk ka asnjë masë domethënëse.. nën presionin e Vettingut partiak dhe korruptiv në polici, ai po zvarrit çështjen prej dy javësh, sepse mbrojtësi i policit dhunues të fëmijës ndodhet në krye të policisë së shtetit.”

“Ardi Veliu, me zë dhe figurë ka dhunuar sot për herë të dytë viktimën e policisë, duke përgojuar dhe sajuar të pavërteta, kundër nënës së djalit të rrahur barbarisht. Ardi Veliu justifikoi dhunën policore kundër minorenit,” shtoi më tej Pampuri.

Lexo edhe: “15 vjeçari vinte nga familje problematike”: Pamjet e nxjerra nga Veliu ishin nga një film

Ish-deputetja e PD shtoi se, nëse kreut të Policisë së Shtetit nuk i pëlqen se çfarë bën ajo apo të tjerët, “atij i lind e drejta që të na rrahë fëmijët, pastaj të gërmojë në jetën tonë private, të vjedhë fotot dhe videot tona në rrjetet sociale, siç ka bërë me ato të nënës së djalit, të sajojë me to një histori dhe, në fund, ta bëjë atë publike për të na dhunuar e për të na poshtëruar përsëri.”

Pampuri deklaron më tej:

“Ardi Veliu e bëri këtë në vendin ku duhet të ishim më të mbrojtur, në Parlamentin e Shqipërisë. Edhe sikur të mos e dinin se video që tregoi Ardi Veliu është skenë nga një shesh xhirimi i një filmi të njohur ku nëna e 15-vjeçarit ka marrë pjesë, është e neveritshme të shohësh sesi burra e gra deputete heshtin përpara një akti kaq të rëndë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Asnjëri prej tyre nuk guxoi të ngrejë zërin kundër këtij qëndrimi sadist, që shkel disa të drejta elementare të njeriut. Për Partinë Demokratike, nuk ka asnjë habi për këtë akt prej krimineli gjakftohtë. Ky është i njëjti person që drejtoi dhunën kundër opozitës gjatë protestave qytetare. Dhe është, sërish, i njëjti kriminel gjakftohtë që urdhëroi hyrjen e policisë në teatër me automatikë, që e rrethoi atë me snajper dhe dhunoi gratë, vajzat, të rinjtë dhe opozitën që kërkonte ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe të pronës publike nga vjedhja. Ardi Veliu duhet të shkarkohet sot! Me sulmin e sajuar kundër një nëne kryefamiljare, që ka rritur e vetme 3 fëmijë, me justifikimin e dhunës policore kundër djalit të saj 15 vjeçar për shkak të prejardhjes familjare, ai është një klonim i rrezikshëm i sigurimsit dhe i hetuesit kriminel të diktaturës. Ardi Veliu është sot turpi i Policisë së Shtetit! Ai është fytyra sadiste e Ministrit të Brendshëm, i kryeministrit dhe i këtij pushteti që u ble nën kërcënimin dhe dhunën e parave të pista. Po të ishte ndryshe, Edi Rama do ta kishte shkarkuar tani Ardi Veliun dhe do ta kishte përjashtuar atë me turp përjetë nga radhët e policisë!”

Kujtojmë këtu se kreu i Policisë së Shtetit ka bërë një dalje së fundmi ku tregonte një video në të cilën shfaqej djali i dhunuar tek parku i Liqenit në Tiranë.

Duke treguar pamje të nënës së djalit me pistoletë, Veliu thotë se “shikoni sesi është edukuar djali që kundërshtoi policinë. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!