Në studion e”Provokacija” përballë Mustafa Nanos këtë të martë ishte profesori Sadik Bejko për të folur në lidhje më një shënim, me anë të së cilit Bejko i përgjigjej dikujt që kishte shkruar ndaj Ismail Kadaresë.
Mesazhi për shkrimtarin në atë shënim ishte vulgar dhe solli jo pak reagime.
Gjatë bisedës në studio u fol për Ismail Kadarenë, kush është Kadare për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe jo vetëm. Poeti Bejko u shpreh jo pak herë se ai është tashmë jo vetëm i Shqipërisë por ndërkombëtar.
Sadik Bejko shprehet në lidhje me Kadarenë se ai dallonte dukshëm nga të tjetët e brezit të tij dhe jo pak breza kanë mësuar nga ai.
Sadik Bejko: “Shumë njerëz e njohin. Ka kaq vite që është prezent në literaturën shqiptarë. Është një figurë që ka arritur respektin nëpërmjet punës së tij të jashtëzakonshme. Punë me dy binarë, talenti i tij i jashtëzakonshëm dhe vetë-disiplina për të qenë gjithmonë në punë.”
Profesori tregon më tej që ai vetë i përket një brezi shkrimtarësh të rinj, që kanë trokitur në dyert e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe ai që i priste aty ishte Ismail Kadare.
“Ne i dërgonim poezitë me zarfe, ndonjë herë të shkruara me dorë dhe vinin atje. Jo vetëm unë, një brez njerëzish e bënë këtë gjë…Gjithë ata që kanë qenë shkrimtarë të moshës sime, edhe më të rinj nga ne, kanë trokitur atje sepse ai ishte redaktori i gazetës Drita, që dilte një herë në javë..,” tregon më tej profesori.
Sadik Bejko rrëfen se Kadare ka qenë idhulli i brezit, ndërsa shton se edhe pse ishte i ri, “që atëherë i kishte dhënë shenjat që ishte më i larti i brezit të vet.”
Sa i përket ndikimit që shkolla në Rusi pati tek Kadareja, Bejko shprehet se ai ishte një talet i madh, por shkolla ruse e mësoi se çfarë të mos shkruante, e jo ç’të shkruante.
Sadik Bejko: “Ismail Kadareja ishte talent i madh, por shkolla ruse, e cila, ai thotë se i dha mënyrën sesi të mos shkruajë. Mirëpo ishte përsëri ishte ballafaqim me një shkollë dhe me mënyrën si jetojnë dhe punojnë shkrimtarët në një vend socialist. Aty kishte shkrimtarë të ndëshkuar, në burgje. Rusia deri atëherë kishte një jetë të shkrimtarëve me ata që ishin ndëshkuar, dënuar, që kishin shpëtuar nga revolucioni, që kishin mbetur gjallë.”
Po ashtu, profesori shprehet se veprat e Kadaresë janë të ndikuara nga letërsia moderne e shekullit të XX. Por, ai shton, që shkolla ruse mbetet një shkollë që ka luajtur rolin e saj në formimin e shkrimtarit.
Një tjetër ‘risi’ e Kadaresë sipas profesorit në studio është fakti që Kadare është një shkrimtari i qytetit. Sipas tij nëse poetët zakonisht kërkojnë natyrën për t’u frymëzuar, Kadare bënte të kundërtën. Dhe kjo lloj letërsie, sipas tij, nuk është në traditën e shqiptarëve.
“Ai kryesisht hyn tek shkrimtarët e qytetit. Është, jeta urbane. Mjediset urbane në Shqipëri. Ai futi jetën urbane në poezi, dhe ajo që quhet interesa qytetare. Për të pasur një lexues apo mjedis, audiencë qytetare,” tregon Bejko.
Sa i përket një modeli të cilin mund të ketë ndjekur Kadare që mund ta kenë ndikuar në formimin e tij, Bejko tregon se mund të ketë pasur një farë ndikimi nga Migjeni.
Po ashtu profesori shton se Kadare quhet shkrimtar evropian ndërsa përmend se veprat e tij mund të kenë më shumë kopje të shituara jashtë sesa brenda vendit.
Sadik Bejko:“..E ka arritur me një punë kolosale, në bazë të sistemit të vlerave që kanë ato vende. Studiohet në universitete. Madje mund të thuash që Ismail Kadare mund të ketë kopje të librave të tij të shitura jashtë më shumë sesa ka në Shqipëri. Gjë që nuk ndodh me asnjë shkrimtar shqiptar.” /abcnews.al/