Real Madrid e ka ndarë mendjen për të ardhmen e sulmuesit Luka Jovic. Corriere dello Sport shkruan se spanjollët janë gati ta lënë në huazim serbin, i cili verën e shkuar u transferua në Spanjë për shumën e 60 milion eurove.
Jovic kishte spikatur në Bundesliga me fanellën e Eintracht Frankfurt dhe ishin të shumta klubet që e kërkonin, por në fund spanjollët ofruan shumën e kërkuar nga klubi gjerman. Sulmuesi nuk u ngrit asnjëherë në lartësinë e duhur, madje rrezikoi të huazohej sapo u ble.
Trajneri Zinedine Zidane nuk e kishte në listën e të preferuarve të tij dhe tashmë klubi spanjoll duhet ta huazojë, në mënyrë që t’i rritë vlerën sërish dhe më pas ta shesë për të kthyer mbrapsht një pjesë të parave të shpenzuara.
Milan e do një sulmues dhe në lojë është futur edhe menaxheri shqiptar, Fali Ramadani. Ky i fundit është pro kalimit të Jovic te kuqezinjte, ku do të gjente Ante Rebic, i cili kishte qenë krahu i tij i djathtë te Eintracht Frankfurt në Bundesliga.