I ftuar në Opinion mbrëmjen e sotme presidenti i Republikës Ilir Meta ka nxjerrë SMS-në e një diplomati të huaj në Tiranë që i dërgonte kur diskutohej çështja e Gjykatës Kushtetuese.
Aty thuhet se Rama është ai që përcaktonte kandidatët për në këtë gjykatë.
“Ky mesazhi këtu është për të kuptuar se si punojnë disa ndërkombëtar në Tiranë për Reformën në Drejtësi. Ky është një diplomat korrekt dhe ka qenë në atë takim. Ai e ka nisur këtë në emër të ambasadës amerikane dhe ambasadës së BE. Mirmëngjes Beni. I takova kolegët e mi amerikane dhe të BE dhe folëm më Ramën në telefon dhe nuk e mbështesin pozicionin e presidentit për pezullimin dhe këtë nuk ma thanë në darkë. Ata besojnë që Arta Vorpsi tani është caktuar si rezultat i mekanizmit zhbllokues dhe ata do të dalin sot publikisht dhe kemi rënë dakord që mos i bjerë të fikët presidentit. Rama megjithatë ra dakord që Marsida Xhaferllari të jetë në listën e presidentit për nominim për tjetrën. Dhe Rama nuk do përpiqet të bllokojë këtë. Pra, është Rama që i bllokon dhe jo KED që i infiltron kandidatët. Ky është mesazhi i një diplomati që ishte në takim në darkë. Por, ky është një qëndrim i turpshëm, anti-kushtetues. Nuk janë lojërat e Amerikës, por lojërat e ekspertëve”, tha Meta.
Më tej Presidenti Meta deklaroi gjithashtu se Euraliu dhe OPDAT punojnë nën urdhrat e kryeministrit dhe se të gjithë e dinë kush përfiton nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese.
“Euralius dhe OPDAT-i punojnë nën urdhrat e Ramës. Unë uroj që ambasadorja e re ta kuptojë këtë gjë sa më shpejt sepse jam lodhur duke e shpjeguar. Të gjithë e dinë kush përfiton nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese”, tha Presidenti./abcnews.al