Ish-kreu i KQZ: Palët të kenë vullnetin të zbatojnë dakordësitë, do arrijmë ndryshimin e sistemit zgjedhor

schedule18:15 - 25 Maj, 2020

schedule 18:15 - 25 Maj, 2020

I ftuar në studion e ABC News në një intervistrë me gazetarin Endri Xhafo, ish-kreu i KQZ dhe juristi Kristaq Kume foli për realizimin e Reformës Zgjedhore dhe ndryshimin e Kodit Zgjedhor.

Sipas Kumes, palët politike duhet të kenë vullnet deri në fund për të zbatuar ato çfarë bien dakord, ndërsa tregoi se opozita është e sinqertë kur thotë se është e angazhuar plotësisht, për të krijuar kushte të mira ligjore për zhvillimin e zgjedhjeve me standarde.

“Opozita jashtëparlamentare ka objektivat e saj, të asaj që kërkon të arrijë përmes këtij procesi. Objektivi madhor i saj është që të krijohen kushte më të mira ligjore për të zhvilluar zgjedhje në standarde që nuk do të vuajnë nga kriminalizmi. Nuk bën sikur, por është angazhuar për të bërë diçka në plotësim të asaj çfarë ka deklaruar kjo opozitë. Ne kemi 30 vjet që bëjmë përpjekje të vazhdueshme si shoqëri që të mund të realizojmë zgjedhje të cilat ti përafrojnë sa më mirë standardet e zgjedhjeve demokratike sepse është pikërisht ky proces prej të cilit lindin të gjithë institucionet e tjera që ne qeverisemi dhe vetëqeverisim” u shpreh Kume.

Por çfarë duhet bërë në vazhdim nga palët politike që të mund të arrihet zhvillimi i zgjedhjeve me standarde? Kume sqaron se palët duhet të marrin përsipër të ndryshojnë situatat në dy nivele, siç është ndryshimi i legjislacionit për zhvillimin e zgjedhjeve, dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për të përdorur votën e lirë të tyre ashtu si kërkohet nga ligji.

“Nga vullneti për të zbatuar rregullat për të cilat janë vendosur nga dakordësitë e tyre dhe atë që kërkohet nga Kodi Zgjedhor. Ky fenomen që janë ndeshur në mënyrë të vazhdueshme, është e rëndësishme që jo vetëm ta identifikojmë si të tillë por të marrim përsipër të ndryshojmë situatat në dy nivele; 1) Ndryshimi i legjislacionit për të realizuar kushtin e nevojshëm për të zhvilluar zgjedhje me standarde dhe 2 ) Kultura për të zbatuar atë çfarë bien dakord, të  bëhet ç’është e mundur dhe të vihen nën presion për të zbatuar legjislacionin dhe qytetari shqiptar për të vlerësuar votën e tij dhe të veprojë me të ashtu si kërkohet legjislacioni”, sqaroi Kume.

Si ekspert i legjislacionit të Kodit Zgjedhor ish-kreu i KQZ Kristaq Kume, tha se ndryshimi i Kodit Zgjedhor është më lehtë i realizueshëm dhe se duhet dëgjuar me vëmendje nga klasa politike propozimi i partnerit kryesor të Shqipërisë, SHBA për implementimin e sistemit danez në Shqipëri.

“Fakti se partneri kryesor i Shqipërisë siç është SHBA i mëshon faktit për një sistem zgjedhor ndryshe nga ai që është në fuqi, duhet lexuar si një mesazh tepër domethënës dhe duhet dëgjuar mirë. Të gjejnë vullnetin për ta zbatuar. Është hera e parë që një institucion ndërkombëtar të shtrojë këtë problem për tu trajtuar nga klasa politike dhe vjen në një kohë kur periudha të tilla kanë qenë të mbarsura nga deklarata të ardhura nga përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, se nuk është problemi i tyre sistemi zgjedhor apo se si zgjidhen deputetët në Kuvend”, tha Kume.

Për Kumen sistemi më i mirë zgjedhor dhe që i përshtatet më së tepërmi Shqipërisë, është Sistemi mazhoritar i korrektuar me proporcional.

Kume tha se ky sistem i plotëson më së miri të gjithë kërkesat e palëve.

Ai gjithashtu u shpreh i bindur se do të arrihet ndryshimi i sistemit zgjedhor ose të paktën do të arrihet të hapen listat pasi sinergjia  pozitive e prodhuar si rezultat i veprimit qytetar dhe nxitja e ndërkombëtarëve , veçanërisht SHBA do të ketë një përfundim të favorshëm për të gjitha palët./abcnews.al