Këshilli Politik për reformën zgjedhore do të mblidhet nesër, dhe një prej propozimeve në tryezë është edhe ai amerikan për të vendosur sistemin zgjedhor që ka Danimarka.
Kristaq Kume sqaron se si funksionon ky model. “Është sistem proporcional rajonal i korrektuar me listë kombëtare”, thotë ai.
Nëse ky sistem pranohet, atëherë, shqiptarët do të zgjedhin jo vetëm partinë, por edhe kandidatin e tyre të preferuar brenda listës së partisë.
“Zgjedhësi në këtë mënyrë çekon kutinë duke i dhënë në këtë mënyrë votën subjektit përkatës që ai dëshiron dhe pastaj çekon kutitë me numrat përkatës që iu korrespondojnë kandidatëve të listës së subjektit përkatës që ai do ti shohë deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Është e nevojshme të bëhet një fushatë sqaruese edhe informuese për ta”, sqaron Kume.
Por dy partitë e mëdha nuk kanë shfaqur gatishmëri për ta ndryshuar sistemin, dhe aq më pak këtë model konkretisht. “Ndryshimi mund të bëhet me vullnetin e njërit lider, nëse do Edi Rama të bëjë këtë ndryshim mundësitë i ka të gjitha”, thotë ai.
Arsyeja themelore është fakti se kryetarët e partive bëhen më të dobët. “Lista e hapur e zbut efektin negativ të kësaj gjëje, nuk e zgjidh deri në fund”, shprehet ai.
Kume sugjeron një model tjetër, si më i miri për vendin tonë. “Do të ishte mirë që deputetët të ishin në Kuvendin e Shqipërisë, si rezultat i vullneteve të shprehura direkt nga zgjedhësit nërmjet një votimi mazhoritar. Të jetë mazhoritar i korrektuar”, thotë Kume.
Problemet me standardet e zgjedhjeve, sipas ish-kryetarit të KQZ-së, nuk lidhen me sistemin.”Shitblerja e votës, keqfunksionimi i administratës në vendimarrje etj…Të gjitha këto nuk i rregullon sistemi. Por këro i rregullojnë dy gjëra: rregullimi që duhet bërë në Kodin Zgjedhor dhe së dyti kultura e zbatimit të asaj që bien dakord”, thekson Kume.
Kristaq Kume, së bashku me disa aktivistë të tjerë, sërish i ka kërkuar KQZ-së të mbahet një referendum për sistemin.
“Çështja e rëndësisë së veçantë është sistemi zgjedhor. Pyetja referendare: A jeni dakord për të ndryshuar sistemin zgjedhor. Natyrisht e gjitha kjo është në vazhdimësi pjesë e përpjekjeve që ne bëjmë për të realizuar këtë që po themi”, shprehet ai.
KQZ ende nuk e ka marrë në shqyrtim kërkesën e dytë, teksa pak javë më parë, rrëzoi një kërkesë të ngjashme nga po të njëjtët aktivistë. /abcnews.al