E gjithë bota tashmë është vënë në punë për të prodhuar vaksinën kundër koronavirusit që deri më tani ka marrë jetëne e rreth 340 mijë personave. Së fundmi është Tajlanda që ka nisur me testimin e një vaksine kundër koronavirusit tek majmunët, pas rezultateve pozitive tek minjtë.
Ministri tajlandez për Edukim të Lartë dhe Hulumtime Suvit Maesincee, ka thënë se hulumtuesit shpresojnë se do të kenë më shumë të dhëna rreth efektit të vaksinës, deri në muajin shtator.
“Ky projekt është për racën njerëzore, jo vetëm tajlandezët. Kryeministri (Prayuth Chan-ocha) ka theksuar politikën se ne duhet ta zbulojmë vaksinën dhe t’i bashkohemi komunitetit që po punon në këtë drejtim”, ka thënë ndër të tjera ministri.
Mediat e huaja bëjnë me dije se për vaksinën tajlandeze është përdorur acid ribonukleik, i cili shtyn qelizat e njeriut që të prodhojnë antigjene, të cilat e aktivizojnë sistemin imunitar.
Kjo vaksinë është një prej të paktën 100 tjerave për të cilat po punohet në botë kundër sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi./abcnews.al