Carlo Ancelotti ka një eksperiencë të madhe në stol. Italiani e di mirë që nuk ka një skemë perfekte, më e mira është ajo nëpërmjet së cilës ia del të marrësh maksimumin nga skuadra që drejton.
Në fillim ishte i fiksuar pas klasikes 4-4-2, por në vitin 1999 u ul në pankinën e Juventusit dhe aty ndryshoi gjithçka. Kjo falë Zinedine Zidane, i cili luante si numër 10-sh. Trajneri i Everton sqaron idenë e tij për Sky Sport, duke u ndalur edhe te Ronaldo, me të cilin punoi e fitoi te Real Madrid.
“Zidane ndikoi që të ndryshoja sistemin tim të lojës, ishte i pari futbollist që më krijoi mundësinë të ndryshoja dhe të luaja në një mënyrë ndryshe. Vitin e parë kalova te skema 3-4-1-2. Del Piero dhe Inzaghi luanin në sulm, ndërsa Zidane pozicionohej pas tyre.
Në fillim isha i fiksuar pas skemës 4-4-2, por Zidane ndryshoi idenë time të futbollit. Doja ta vendosja në pozicionin ku do të jepte më të mirën, kështu që hoqa dorë nga skema që përdorja. CR7? Nuk është e nevojshme të ndërtosh skuadrën rreth tij.
Është e njëjta situatë si me Zidane, Ronaldo duhet vendosur në pozicionin ku jep maksimumin. Mos të harrojmë që nuk është e nevojshme t’u japësh shumë udhëzime këtyre lloj lojtarëve, janë profesionistë dhe kampionë të mëdhenj“, deklaron Ancelotti. /abcnews.al