Qendra e Sigurisë për Europën Juglindore, e drejtuar nga Kryetari i Partisë Republikane zoti Fatmir Mediu në bashkëpunim me David Philips, nga “Columbia University”, organizuan një forum për situatën dhe të ardhmen e Kosovës.
Diskutimeve ju bashkuan dhe Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit të Kosovës, Ramush Haradinaj ish-Kryeministër, si dhe aktorë të tjerë të rajonit, që shprehën mbështetje për pavarësinë e Kosovës dhe integritetit të saj territorial.
David Philips bëri me dijeni se shumë përfaqësues të Diasporës shqiptare në Amerikë i janë drejtuar Presidentit Trump me një letër ku kërkohet të ruhet sovraniteti i Kosovës.
Ata theksuan se ndryshimi i kufijve është një lëvizje e rrezikshme, në dëm të Kosovës dhe stabilitetit në rajon.
Fatmir Mediu theksoi se situata gjeopolitike në rajon ka ndryshuar dhe përfshirja e Rusisë në këtë diskutim është në dëm të interesave të Kosovës dhe rajonit.
“Sa për liderët e tjerë, gjithë shqiptarët veç Ramës kanë qenë kundër ndryshimit të kufijve”, u shpreh ai.
Kreu i Republikanëve thotë se të gjithë liderët politikë në Shqipëri, përveç Ramës ishin kundër ndryshimit të kufijve në Shqipëri.
Vjosa Osmani Kryetarja e Kuvendit të Kosovës theksoi se dialogu me Serbinë u shndërrua në marrëdhënie dhe marrëveshje sekrete te liderëve te Kosovës dhe Serbisë për ndryshimin e kufijve duke hapur kështu kutinë e Pandorës dhe kërcënuar stabilitetin rajonal.
Ndërsa ish kryeministri Haradinaj deklaroi sërish se ndryshimi i kufijve ishte një marrëveshje e vendosur e Vuçiç, Ramës e Thaçit, të cilët së bashku kërkonin të merrnin mbështetjen e SHBA dhe BE./abcnews.al