Beogradi duhet të njohë Kosovën në këmbim të asocacionit

schedule13:13 - 22 Mars, 2018

schedule 13:13 - 22 Mars, 2018

Mediat serbe raportojnë se Beogradi ka marrë një ultimatum të fundit përsa i përket njohjes së Pavarësisë së Kosovës. Duhet ta pranojë atë në këmbim të krijimit të asocacionit të komunave serbe në veri të Kosovës.

Serbia ka marrë një ultimatum: Duhet të njohë pavarësinë e Kosovës në këmbim të krijimit të asocacionit të komunave serbe në veri.
Të paktën kështu raporton televizioni serb Prva TV.

Sipas kësaj media, Presidenti serb Vuçiç ka marrë një propozim të tillë nga diplomatë në Berlin, Paris, Londër, dhe Uashington, një gjë që i është konfirmuar dhe gjatë qëndrimit të tij më të fundit në Nju Jork.

Ndërkohë ministrja e Jashtme serbe, Jadranka Joksimoviç, u shpreh se Aleksandër Vuçiç nuk ka humbur asnjë rast për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e vendit.

Edhe një anëtar tjetër i partisë në pushtet SNS, Milovan Drecun, i cili ka qenë dhe kryetari i Asamblesë Kombëtare serbe për Kosovën, u shpreh se perëndimi nuk dëshiron të hapë çështjen për zgjidhjen përfundimtare të Kosovës, pasi për të ky proces ka përfunduar.

Drecun shtoi se tashmë perëndimi pret që Beogradi ta konfirmojë atë. Ai theksoi se ngrirja e procesit të negociatave me Kosovën do e shtynte këtë të fundit drejt Shqipërisë së Madhe në vend që të zgjidhte problemet.

I pyetur se çfarë do i ndodhte Serbisë nëse nuk do të pranonte ultimatumin e perëndimit, Drecun nuk përjashti mundësinë e izolimit të vendit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!