Një ngjarje e rëndë trondit futbollin shqiptar. Sulmohet dhe kërcënohet me thikë trajneri i Tiranës U17, Migen Memelli. Agresori ishte prindi i njërit prej lojtarëve të skuadrës, ndërsa u ndalua nga policia.
Një ngjarje e rëndë tronditi “Skënder Halilin”.
Në kompleksin e Klubit të Futbollit të Tiranës, në prani të dhjetëra lojtarëve e prindërve, u godit trajneri i ekipit U17, Migen Memelli.
Ishte një prind, i identifikuar si Abdyl Çejku, i cili u përplas me trajnerin, duke pretenduar se ndaj djalit të tij ishte bërë padrejtësi.
Vetë Memelli u shpreh se u godit me grusht, dhe se prindi nxorri edhe një biçak duke e kërcënuar, e po ashtu ai bëri kallëzim penal pranë policisë.
Tirana U17 po luante një miqësore me Tiranën B, dhe Memelli e nxorri nga loja futbollistin me mbiemër Çejku, duke bërë një zëvendësim.
Vetë trajneri sqaroi më pas se futbollisti i ri, një mesfushor sulmues, ishte trajtuar gjithnjë mirë dhe madje kishte qenë kapiten i ekipit, pra ai nuk i kishte bërë asnjë padrejtësi.
Klubi i Tiranës nxorri një deklaratë zyrtare për shtyp, duke i dalë në krah trajnerit, duke dënuar ashpër agresionin, dhe duke premtuar se do të marrë masa për të mbajtur larg prindërit që cënojnë integritetin e trajnerëve dhe që, njëkohësisht, dëmtojnë fëmijët e tyre.
Policia, ndërkaq, veproi dhe bëri ndalimin e dhunuesit, ndaj të cilit ka një kallëzim nga ana e Memellit, ndërsa pritet të marrë dënimin sipas ligjit.
Burime në klub bëjnë me dijë se Memelli vlerësohet shumë pozitivisht, qoftë si trajner, qoftë në aspektin njerëzor, ndërsa skuadra U17 ka pasur rezultate mjaft të mira nën drejtimin e tij.
Interesant është një diskutim në rrjetet sociale, mes Memellit dhe njërit prej tifozëve të njohur të ekipit, Alban Berishës.
Aty, trajneri vlerësohej që nuk pranonte ndërhyrje, por aktivizonte ata që e meritonin, ndërsa Memelli përgjigjej se miqtë dhe shokët janë të respektuar, por nuk duhet të ndërhyjnë tek puna.
Sulmi ndaj trajnerit kryeqytetas është i dyti që ndodh në futboll në vetëm pak ditë, pasi më parë u sulmua dhe u kërcënua trajneri i ekipit të parë të Vllaznisë, Ernest Gjoka, besohet për të njëjtat motive./abcnews.al