PËRGJIMET/ “Më gjej një mik për prokuroren F.V”: Si u shkatërrua grupi i Kukësit, mbillnin kanabis në male

schedule14:22 - 20 Maj, 2020

schedule 14:22 - 20 Maj, 2020

Ka qenë prokuroria e Kukësit ajo që ka zbërthyer grupin që merrej me mbjelljen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, i cili u shkatërrua përmes një operacioni të gjerë në disa qytete të vendit.

Siç mëson abcnews.al, prokuroria dyshon se ishte Kreshnik Murataj nga Kukësi ai që organizonte grupin pasi gjatë përgjimeve është konstatuar se personat e tjerë konsultoheshin me të për veprimet mbi mbjelljen, rritjen e bimëve të kanabisit si edhe transportin e lëndës narkotike pas tharjes.

Lexo edhe: E fundosen përgjimet, arrestohet për drogë vëllai i kryebashkiakut të Fushë Arrëzit

Abcnews.al mëson se pasi ishin kryer disa arrestime nga prokuroria e Kukësit, grupi në fjalë kërkon të futet në kontakt me prokuroren F.V. Në lidhje me këtë rezulton se në 24 shtator të vitit 2019, Kreshnik Murataj ka telefonuar shtetasin I.V duke i kërkuar që “t’i gjejë një mik prokurores F.V”.

Gjatë telefonatës I.V i thotë Kreshnik Muratajt se “F.V është bashkëshortja e F.GJ” dhe se “duhet të bëjë kujdes në biseda për këto gjëra në telefon”.

Por grupi nuk dorëzohet. Gjatë të njëjtës ditë, prokuroria ka interceptuar një telefonatë tjetër, ku sërish Kreshnik Murataj telefonon një grua dhe e pyet nëse e njihte prokuroren F.V, por ajo i thotë se “nuk e njihte“.

Disa orë më vonë sipas prokurorisë, në telefonin e Kreshnik Muratajt vjen një telefonatë nga një person i identifikuar si djali i prokurores F.V, i cili i kishte thënë se punonte në një institucion të rendësishëm në Kukës.

Prokuroria nuk ka më detaje se çfarë ndodhi mes grupit dhe prokurores në fjalë, por duket se grupi u alarmua pas disa operacioneve për shkatërrimin e parcelave të kanabisit në Kukës. /abcnews.al