Shërohet nga Covid 19 kthehet në punë kryeministri rus Mishustin

schedule18:53 - 19 Maj, 2020

schedule 18:53 - 19 Maj, 2020

Kryeministri rus, Mikhail Mishustin,  është kthyer në detyrë pasi është shëruar nga koronavirusi. Mediat vendase bëjnë me dije se një dekret i nënshkruar nga presidenti Vladimir Putin, i botuar në faqen e internetit të Kremlinit, anuloi aktvendimin e tij të mëparshëm, me të cilin zëvendëskryeministri Andrei Belousov është emëruar ushtrues detyre, për shkak të sëmundjes së Mishustinit.

Mishustin njoftoi më 30 prill se ishte prekur nga COVID-19. Ai ka zhvilluar disa takime online me qeverinë e tij, gjatë qëndrimit në spital.  Ndërkohë të martën, autoritetet në Rusi thanë se kanë regjistruar edhe 9,263 raste të reja me koronavirus, të cilat e rrisin në 299,941 numrin e përgjithshëm të të infektuarve në këtë vend.

Shifra për 24 orët e fundit është nën 10,000 për të katërtën ditë me radhë. Për pjesën më të madhe të muajit maj, numri ditor i të infektuarve në Rusi ka qenë mbi 10,000, ndërsa numri i të vdekurve në 24 orë shkoi në 115./abcnews.al