Bezhani: E keni vënë re që politika nuk flet për sportin? Kosova shembull

schedule18:22 - 19 Maj, 2020

schedule 18:22 - 19 Maj, 2020

Viron Bezhani e vlerëson faktin që futbolli do të rikthehet në Shqipëri, por kërkon të njëjtën gjë edhe për sportet e tjera. Presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar, foli në “Fan Zone” në Supersport, rreth negociatave me autoritetet shtetërore për rikthimin e kategorive të tjera sportive dhe problemeve të shumta, pa mohuar faktin që talentet shqiptare nuk mungojnë.

SPORTET E TJERA – “Më vjen mirë që qeveria vendosi t’i ndezë dritën jeshile futbollit, por nuk duhet të harrojmë që ka shumë sporte të tjera dhe të gjithë duan t’i rikthehen normalitetit të tyre. Ne vijojmë të negociojmë me institucionet shtetërore, për të rifilluar të paktën me sportet individuale momentalisht, dhe për të vijuar me sportet në natyre, që mbahen të bllokuar jashtë çdo logjike. Unë jam pro lejimit të futbollit, por nuk mund të lëmë në harresë sporte të tjera, pasi kemi sportistë që duan të përfaqësojnë Shqipërinë në Lojërat Olimpike, duhet t’u krijojmë kushtet që të punojnë e stërviten”.

PROBLEMET – “Unë e kam vënë re në shumë takime që kam zhvilluar, duke filluar nga vitet ’90, se njerëzit e politikës nuk ia dinë rëndësinë sportit dhe edukimit që ai sjell në shoqëri. Në parlamentin shqiptar, ndonëse kemi edhe sportistë, ju jeni dëshmitarë që nuk diskutohet asnjëherë për sportin. Duhet të marrim shembull nga Kosova, që ka një ligj shumë të mirë për sportin dhe po i jep një vëmendje maksimale, ndaj keni për të parë që shumë shpejt do të ngrenë sporte të shumta në nivele të larta. Ne duhet t’u krijojmë kushte të rinjve, që të vazhdojnë sportin dhe të kenë mundësi ta ushtrojnë atë, pasi kjo është e vetmja mënyrë për të mbajtur të rinjtë këtu. Pra, konkluzioni është që këtu për sportin nuk është vlerësimi që duhet, kjo duket qartë nga infrastruktura sportive që ka vendi”.

RIFILLIMI – “Unë mund të them me bindje të plotë që të 14 sportistët, që i kemi me nivel evropian, mund të fillojnë stërvitjen që nesër, me të gjithë kushtet që do t’u krijojmë ne si Komitet Olimpik. Megjithatë, asgjë nuk i pengon atletët që të vrapojnë në natyrë, ashtu si edhe shumë sporte të tjera, por siç thashë, këtu nuk ka vlerësim për sportin”.

SHTYRJA E LOJËRAVE OLIMPIKE – “Unë ju garantoj që sportistët që kemi në dispozicion, do të jenë në formë shumë të mirë edhe vitin tjetër. Kemi sportistë shumë cilësorë, që shumë shpejt do të jenë krenaria jonë në Evropë dhe botë”.

MEDALJET – “Ne kemi sportistë shumë të mirë, por që punojnë në kushte shumë të këqija, ndaj është e vështirë të arrish në zonën e medaljeve, ku hyjnë sportistë që punojnë në kushte fantastike dhe me mbështetje maksimale. Për të shkuar te medaljet, duhet një strategji kombëtare, e mirë menduar dhe me mbështetje ndaj sportit dhe sportistëve”. /abcnews.al