Përplasja e sotme mes qytetarëve dhe policisë pas prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar si edhe episodet e dhunshme gjatë saj kanë gjetur një pasqyrim të gjerë në mediat botërore.
“Reuters” ka publikuar foton e një qytetari të shtrirë në asfalt teksa goditet nga polici i maskuar duke iu referuar akuzave të aktivistëve se pas prishjes së godinës fshihet një projekt korruptiv i qeverisë ndaj biznesmëneve pranë saj.
“Reuters” ndër të tjera shkruan:
Autoritetet shqiptare filluan rrënimin e ndërtesës së Teatrit Kombëtar, mëngjesin e kësaj të diele, pasi tërhoqën duzina aktorësh dhe aktivistësh, që e mbronin atë. Teksa i tërhiqnin ata brohorisnin “turp” dhe “diktaturë”.
Për më shumë se dy vjet aktorë, aktivistë dhe opozita kanë kundërshtuar planet e kryeministrit, Edi Rama për të ndërtuar një teatër të ri, duke thënë se ndërtesa ekzistuese ishte pjesë e trashëgimisë së vendit, dhe e akuzuan atë për praktika korruptive.
Protesta çoi në 37 arrestime dhe një polic u shtrua në spital pasi u godit nga protestuesit. Ndërsa një dëshmitar i ‘Reuters’ gjithashtu se kishte parë një protestues me lëndime në kokë.
Njëri nga të arrestuarit, analist i medieve, Alfred Lela, tha pas lirimit të tij se policia kishte përdorur dhunë të pajustifikuar dhe abuzim verbal. Policët shkelmuan protestuesit, të cilët hodhën shishe uji, sipas një dëshmitari të Reuters, por policia tha se akuzat për dhunë ishin të pavërteta.
Ndërkohë, “The New York Times” shkruan se prishja e godinës shkaktoi protesta të dhunshme në Tiranë.
Ndër të tjera, NYT shkruan:
Prej dy vitesh, shoqëria civile e përbërë nga aktorë dhe eprsonazhe të tjerë të njohur kanë kërkuar mos prishjen e godinës por riparimin e saj. Por, në orët e para të mëngjesit të sotëm një numër i madh policësh u shfaqen duke shpërndarë me gaz lotsjellës aktivistët e “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit”, ndërsa më pas fadroma filloi prishjen e godinës. /abcnews.al