Do të kujtohet si artisti që la gjurmë në arkitekturë, pikturë, estetike e publicistikë; La pas historinë e tij të dhimbjes, vitet e burgut në kampet komuniste, betejat e tij të humbura me të gjithë pushtetarët që e vijuan diktaturën.
Maks Velo luftoi fort në mbrojtje të trashëgimisë kulturore, akuzoi me guxim padrejtësitë e regjimeve, të cilat përdhosën vlerat e trashëguara dhe vendosën pa mëshirë firmat e tyre me njolla korrupsioni e krimi mbi proceset e shkatërrimit.
Liria për të krijuar dhe për të folur hapur rreth çdo ideje në mbrojtje të demokracisë, padyshim pati kosto në jetën e tij. Maksi i rrëfeu me dhimbje e mllef ditët e tij të vështira, sidomos kur ishte fjala për ish-miq e kolegë që jetuan urtë nën privilegjet e dhuruara nga diktatura, por në pluralizëm u shfaqën si ish-të dënuar politikë duke grabitur padrejtësisht statusin e Maksit, si ish i burgosur politik.
Asnjëherë nuk u bë pjesë e intelektualëve që rreshtoheshin me pushtetin e radhës.
Vlerësimi në vendin e tij ishte i vakët. Shqipëria ka një tjetër etalon për vlerësimin e figurave dhe firmën në cepin e poshtëm të certifikatave vazhdojnë ta vendosin politikanët.
Por Maks Velo është veçuar në vlerësimë nga të tjerë artistë të evropës lindore më së shumti jashtë kufinjve të Shqipërisë. Pikturat e tij janë zgjedhur për të ilustruar Studimin monumental, “Muret pas perdes”, të Harold Segel ku përmblidhet Literatura e Burgut, në vitet 1945-1990, për diktaturën në vendet e e Evropës Lindore:” Ky studim prestigjioz përfshin romancierë, poetë, dramaturgë dhe eseistë që shkruan gjatë ose pas robërisë së tyre nën komunizëm. Këto punime të tyre ilustrohet me pikturat e Maks Velos.
Maks Velo është një ndër artistët më aktivë në betejat për të mbrojtur trashëgiminë kulturore. Me dhimbje ai pranonte se në kulturën tonë, shkatërrimi është gjëja që dimë të bëjmë më mire e me po aq dhimbje pranoi se i ka humbur thuajse të gjtiha betejat e tij me pushtetin.
Gazetarja e “Abc News”, Luljeta Progni ka përgatitur një speciale për Maks Velon, të cilën ju ftojmë të ndiqni në videon e mësipërme. /abcnews.al