Menaxhimi i “Covid-19”, Brazili humb ministrin e dytë të Shëndetësisë brenda 1 muaji

schedule19:59 - 15 Maj, 2020

schedule 19:59 - 15 Maj, 2020

Ministri i shëndetësisë në Brazil ka dhënë dorëheqjen pas më pak se një muaji në punë.

Shkak për dorëheqjen mendohet të jenë mosmarrëveshjet lidhur me mënyrën sesi qeveria po e menaxhon krizën e përshkallëzuar të koronavirusit në vend.

Nelson Teich kishte kritikuar një dekret të lëshuar nga Presidenti Jair Bolsonaro që lejonte rihapjen e palestrave dhe salloneve të bukurisë. Kujtojmë këtu se paraardhësi i tij u shkarkua pasi, po ashtu,  nuk u pajtua me Bolsonaro-n.

Presidenti i ekstremit të djathtë vazhdon të kundërshtojë masat e karantinës ndërsa ditën e djeshme është shprehur se izolimi është rruga drejt dështimit. Ai e ka minimizuar virusin si “një grip të vogël” dhe ka thënë se përhapja e Covid-19 është e pashmangshme, duke iu përgjigjur kritikave globale.

Kohët e fundit Brazili ka kaluar Gjermaninë dhe Francën sa i përket rasteve me virusin korona duke u bërë një nga vatrat më të nxehta në botë me më shumë se 200,000 raste. Po ashtu, si pasojë e koronavirusit, në vendin e Amerikës Latine kanë humbur jetën deri më tani 14,058 persona. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!