Zëvendës ministrja e Arsimit Nina Guga në një intervistë për Abc News është shprehur se janë marrë të gjithë masat e nevojshme për sigurinë e maturantëve që do të rinisin shkollën me 18 maj.
Guga ka theksuar se në ambjentin e shkollës dhe në çdo klasë janë krijuar distancat që do të respektohen nga maturantët duke filluar që me mbërritjen e tyre nëoborrin e shkollës ku janë vendosur piketat distancuese.
Maturantët sipas zv.ministres do të jenë të kontrolluar në çdo lëvizje të tyre brenda ambjenteve të shkollës për të mos lejuar grumbullimin e tyre në grupe.
“Procesi i mësimit për maturantët do të vijojë në masa të rrepta që ka të bëjë me higjenën dhe në zbatim të rregullore. Në të gjithë shkollat drejtoritë kanë marrë masat për të marrë masat e sigurisë duke filluar nga vijëzimet e hyrjes dhe të daljes.
Tashmë janë marrë të gjithë masat se si nxënësit do të hyjnë dhe në hyrje do të jetë një pjesë e stafit mjeksor dhe mësuesve, të cilët do të kujdesen për distancimin fizik të tyre duke matur temperaturën, duke bërë disinfektimin e duarve dhe futjen e tyre nëpër klasa dhe mënyrën se si do të ndahen. Të gjithë maturantët tashmë e dinë se ku do të shkojnë dhe bankën e tyre me numrin përkatës, ku është respektuar distanca me 1.5 deri në 2 metra.
Në çdo klasë ka një bankë që është me emrin e nxënësit ku ndodhet dhe një dizinfektues. Është një protokoll që duhet të respektohet me rigorozitet, dhe do të jetë i monitoruar jo vetëm nga stafi i sjhkollës por edhe nga një grup nga Instituti i shëndetit publik”, është shprehur zv ministrja e Arsimit.
Ndër të tjera në intervistën e saj për Abc News zv ministrja është shprehur se nxënësit dhe i gjithë stafi do të jenë të pajisur me doreza dhe maska gjatë qëndrimit të tyre në ambjentet e shkollës.
“Mësimi do të fillojë në 8:30 dhe nxënësit do të nisin që para shkollës ku do të qëndrojnë sipas piketave të vendosura është e kontrollueshme çdo lëvizje e tyre në koridore ku vetëm për emergjenca do të lejohet dalja e tyre dhe do të jenë të shoqëruar dhe nuk do të lejohet qëndrimi i tyre në grupe. Klasat do të jenë të ajrosura dhe me dritare të hapura. Në çdo mjedis të shkollës do të vendosen rregulla për informimin e nxënësve”, ka thënë Guga.
Vendimi për rikthimin e maturantëve në shkollë është marrë pas kërkesave të shumta nga nxënësit të cilët e kishin të nevojshëm konsultimin fizik me mësuesit përkatës, si një fazë përgatitore para provimeve./abcnews.al

