15 mld lekë garanci sovrane, kategoritë që përftojnë! Denaj: Aplikoni nga java e ardhshme

schedule07:40 - 14 Maj, 2020

schedule 07:40 - 14 Maj, 2020

Qeveria shqiptare ka miratuar në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave garancinë e dytë sovrane me vlerë 15 miliardë lekë.

Ministrja e Ekonomisë Anila Denaj ka njoftuar se garancia sovrane do të ofrojë mundësi financiare për të gjitha sipërmarrjet e ndikuara në aktivitet nga pandemia dhe historik të marrëdhënies kreditore.

Nga këto kredi që biznesi do të marrë, Denaj thotë se qeveria del garant për 60 % të çdo huaje që bankat do të japin, ndërsa 40 % tjetër do të dalë garant vetë sipërmarrja.

Kjo paketë do të ofrojë kredi me një afat shlyerjeje deri 5 vjet, me hapësirë për të mos paguar principalin deri në 6 muaj.

“15 miliardë lekë mbështetje nga Qeveria Shqiptare për Garancinë Sovrane 2

Garancia Sovrane II, ofron mundësi financimi për të gjitha sipërmarrjet e ndikuara në aktivitet nga situata e pandemisë dhe me një historik pozitiv të marrëdhënies kreditore.

Qeveria shqiptare garanton 60% të principalit të çdo huaje, që bankat do të lëvrojnë për biznesin, sipas eksperiencave më të mira ndërkombëtare. Ky instrument:

-Është në dispozicion për sipërmarrësit në të gjithë sektorët e ekonomisë
-Synon të jetë burim për kreditimin e kompanive për kapital qarkullues dhe investime
-Ofron mundësi financimi me një afat shlyerjeje deri 5 vjet
-Ofron hapësirën për të mos paguar principalin për një periudhë jo më pak se 6 muaj

-Ftojmë të gjitha bizneset, të mobilizojnë fondet e nevojshme për kapërcimin e efekteve të pandemisë dhe për të hedhur hapat drejt rimëkëmbjes së aktivitetit dhe ekonomisë. 

-Prej javës së ardhme bizneset mund të shprehin interesin pranë të gjitha bankave të nivelit të dytë”, njofton Denaj./abcnews.al