Ditari i një ultrasi, kur pret titullin 26 vite dhe gjithçka të kalon para fytyrës

schedule10:37 - 13 Maj, 2020

schedule 10:37 - 13 Maj, 2020

Ditë si ajo skaliten mirë në memorie dhe janë pak më të veçanta se të tjerat. E ndjen që do të ndodhë diçka ndryshe. Sa më shumë kohë kalon, aq më shumë mbushesh me tension, fillon dhe mendon se ku nisi dhe ëndërron si do të përfundojë. Ka shumë variante, disa të bazuara në eksperienca, e disa në imagjinatë të pastër tifozi. E bukura është se as ne imagjinatën më të bukur nuk përfundonte ashtu si përfundoi, megjithëse dyshoj se dikush diçka e dinte…

Ndoshta së për të kaluar nga e para e “dhunshme” e kampionatit, deri në atë ditë, kishin kaluar shumë gjera. Ndoshta se pas 4 javëve dënim, përgjigja sfiduese e shprehur me koreografinë e ndeshjes me Vlorën, shprehte qartë se do përplaseshim kundër të gjithëve dhe kundër gjithçkaje. Më duar hapur, ashtu si tashmë na është bërë zakon, ndezëm festën me “Party’s on”, e më vonë ju treguam të gjithëve se shahu është lojë që flet për ne.

 

Dikush e dinte diçka, se pas “Show must go on” është e natyrshme që “Quenns” të këndojnë “We are the champions”. Meqë i hymë muzikës, në momentet e fundit s’kishte mbetur gjë tjetër, veç: “The final countdown”. Ndoshta e dinim të gjithë, sepse mbaj mend që gjatë gjithë sezonit, kur diçka shkonte keq, e kishim një as nën mëngë, e përdornim gjithmonë në fund dhe magjia ndodhte. Ishte një këngë, që u rikthye në tribuna në një moment të veçantë, një këngë nga këto të rejat. E dini të gjithë, nuk është nevoja ta them.

Sezoni ishte mbushur plot me ndeshje të veçanta, gola të veçantë, përmbysje e shumë përshëndetje ushtarake. Herë i drejtoheshin tribunës kryesore, e herë karshisë. Një shkrim në një gazetë thoshte që Partizani kishte ushtarë në fushë, e kishte ushtarë në tribuna. Kombinimi perfekt që tregonte përkushtim dhe harmoni, dikush e dinte recetën. Fitonim të hënën në orën 2, e në të njëjtën mënyrë s’ndalonim as të dielën në orën 6, me plot mungesa ne ekip, e me biletën 5 herë më të shtrenjtë në stadiumin që mban emrin e dashur “Loro Boriçi”.

 

Loro gjatë jetës së tij ishte shpallur kampion shumë herë me Partizanin, si lojtar dhe si trajner, tani i mbetej Albanit , Trashit , Labit dhe Gegës për ta çuar Partizanin aty ku i takon. Bashkë me Telushin, Bardhin e dalë nga akademia, Asanin, Belicen, Malën, e Çinarin. Bashkë me Kalarin, Atandën e Hebajn. Bashkë me të gjithë ekipin, bashkë me të gjithë tifozët, bashkë me secilin që e kishte hedhur një tullë sado të vogël në ndërtimin e asaj arritje.

12 maji, ishte ditë e bukur, dielli nuk kishte dalë fare dhe në qytet shiu lagte flamujt që kishin pushtuar shtyllat dhe pallatet. Rruga “Federik Shiroka” ishte shumë e populluar, “Jehona e kampionit” kishte ca kohë që bënte jehonë. Marshimi drejt stadiumit me “Du me t’pa ty kampion” e shprehte qartë mesazhin. Kishin ardhur njerëz nga jugu dhe veriu, një autobus nga Saranda e një nga Kosova. Një tifoz kishte marre leje nga burgu ku kryente dënimin, në mënyrë që ta shfrytëzonte ta shihte këtë ndeshje, ose më sakte Partizanin kampion.

 

Atmosfera ndjehej ndryshe, ajri kishte grimca të forta elektriciteti, dikush më thotë me çiltërsi që “kundërshtaret mungojnë dhe kjo do të na bëjë të fitojmë më kollaj”. “Kundërshtaret na kanë munguar gjithmonë”, -ia kthej – “s’po më thua asgjë të re”. Tribuna përballë banerit ishte e mbipopulluar, gjërat vazhdojnë “normalisht” deri në një moment, diku nga minuta e 30-të. Po këndohej kënga “O Partizon”, po paralajmërohej që ka ardhur momenti që ta shndërrojmë ne “Jena kampion”.

Çast që i zuri të gjithë në befasi, dikush u çmend dhe lëshon një predhe drejt portës kundërshtare, e më pas një ekip i tërë vërshon drejt tribunës. Ishte Çinari, me një super të majtë. S’kishte nevojë për komandë, kënga shpërtheu vetë. Ashtu si gëzimi dhe çlirimi i emocioneve. Të gjithë i kishin harruar të gjitha. Dikush duart drejt qiellit, e dikush lëshonte grushte miqësor ndaj shokëve. Dikush plot pasion rrihte banerin, si të ishte duke rrahur gjoksin.

 

Hekurat ishin plot me njerëz mbi to, ne gati gjithë perimetrin e tyre. Pista që ndan tribunën dhe hekurat ishte plot e përplot.  Ajo kënga “Jena kampion” rriste oktavët, tashmë pa ditur se çfarë ndodhte në fushe. Ekstazë totale. Dikush më thoshte vazhdimisht që do fitojmë, nuk e di pse ma përsëriste edhe pas atij momenti. Madje edhe pas krosit 50-metërsh të Trashit dhe pasimit drejt rrjetës që vuloste dopietën e Çinarit. Hekurat u pushtuan serish. E çuditshme …

Lotet dhe gëzimi tashmë po përziheshin gjithandej, kishim provuar lotët dhe gëzimin, pak herë të dyja bashkë. Pritej me padurim vetëm ai çasti final, ajo vërshëllima trefishe që shpesh herë kishte dhënë funde të hidhura. Kësaj radhe ishte ai fundi i paimagjinueshëm, ai që nuk i kishte shkuar në mendje askujt. Tani hekurat ishin kapërcyer dhe tashmë një tjetër piste ishte plot: ajo që ndan hekurat me fushën.

E patëm lënë që nuk do futeshim në fushe, bile deri sa të vinte ajo vërshëllima finale të gjithë po impenjoheshim që futja në fushe mos të ndodhte. Thirrja e çunave ishte që askush mos të hyje në fushë, askush nuk e besonte, as ata që e thoshin. Ishim më afër se kurrë, asgjë s’na ndalonte më. Ndiheshim si ai personazhi i koreografisë që përmendem më parë.

Bilbili ra tre herë, në të dytën u rrezuan tabelat e reklamave, në të tretën gjysma e tifozëve ishin në gjysmën e fushës. Kishte lojtare kundërshtarë ende ne fushe, të injoruar totalisht. Lojtarët e Partizanit mund t’i gjeje vetëm nëse ndiqje grumbuj njerëzish që i kishin rrethuar e i kishin marrë ç’të mundeshin. Shumë shpejt stadiumi u bastis, rrjetat, flamujt e këndit dhe topi avulluan. Nga ky moment nuk mbaj mend gjë, isha i dehur dhe as nuk kisha pirë.  Fjale zemre … Urime ekipit kampion ! 12 Maj 2019! /Ditari i një ultrasi të kuq