Ish-deputeti i Partisë Demokratike Bardh Spahia ka përgënjeshtruar deklaratën e Ministrisë së Shëndetësisë për tenderat sekretë, duke deklaruar se ekziston një e-mail zyrtar që fakton se zjarri i rënë më 15 prill në godinën e saj ka djegur dokumentet për tenderat sekretë të denoncuar nga PD.
Bardh Spahia tha se pas rënies së alarmit rojet kanë konstatuar se janë djegur dokumentet në katin e zyrës së prokurimeve.
Në e-mailin e publikuar nga Spahia thuhet se zjarri i rënë orën 18:00 të datës 15 prill, janë gjetur letra të djegura dhe të shuara me ujë në katin e katërt të ndërtesës. “Pas kontrolleve rezultoi se u gjetën letra të djegura dhe të shuara me ujë në katin e katërt të ndërtesës, tymi i të cilave aktivizoi sinjalin e alarmit”.
LEXO EDHE: Tenderat sekretë, MSH: Të hapur për organet e drejtësisë, dosjet edhe në SPAK
“Një muaj më parë, ne denoncuam zhvillimin e procedurave korruptive të tenderimeve me kontrata sekrete. Për disa ditë me radhë, u provuam shqiptarëve me fakte dhe të dhëna të pakundërshtueshme, se Qeveria po vidhte me tendera sekret në këtë periudhë epidemie, kur gjendja ekonomike e shqiptarëve përkeqësohej çdo ditë.
Qeveria heshti për këto vjedhje. SPAK-u po ashtu. Edhe më herët, ne kemi denoncuar se qeveria po e përdor heshtjen si strategji për të fituar kohë për fshehjen e gjurmëve të krimit dhe zhdukjen e provave.
Ky krim është kryer përmes djegies. Aq shumë dokumente janë djegur në Ministrinë e Shëndetësisë brenda një dite, sa është aktivizuar sinjali antizjarr.
E vërteta është kjo.
Në datën 15 Prill, në orën 18:00, në Ministrinë e Shëndetësisë janë djegur dokumente. Pas rënies së alarmit për zjarr, rojet e godinës kanë konstatuar djegien e dokumenteve në katin e katërt të godinës.
Siç e shikoni, kjo nuk është fantazi e jona. Është një email zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë, që provon rënien e zjarrit dhe djegien e dokumentave në katin e Zyrës së Prokurimeve, pikërisht atë që mohoi dje paturpësisht Ministrja e Vjedhjeve COVID, Ogerta Manastirliu.
LEXO EDHE: MSH replikon sërish: E-maili i publikuar nga PD pas incidentit nga një punonjëse, e ndëshkuam
Hajdutëria me tenderat sekret është aq e madhe, saqë nga një krim korrupsioni, qeveria e Edi Ramës po kryen edhe një tjetër vepër penale, siç është asgjësimi dhe fallsifikimi i dokumenteve shtetërorë për të zhdukur provat e megavjedhjes me mjetet mbrojtëse për mjekët, me maskat antiCOVID, me kitet e testimit, me pajisjet shëndetësore të respiratorëve.
Në email thuhet shprehimisht: “Pas kontrolleve rezultoi se u gjetën letra të djegura dhe të shuara me ujë në katin e katërt të ndërtesës, tymi i të cilave aktivizoi sinjalin e alarmit”.
Fakti që Ogerta Manastirliu u investua personalisht dje për të mohuar zjarrin dhe djegien e dokumentave, duke sulmuar kreun e opozitës me akuzat shabllon të dala boje, provon se ajo është e përfshirë direkt në vjedhje.
Është vjedhja e shqiptarëve të varfëruar, së bashku me klientet e veta FARMANET, EUROMED, O.E.S. DISTRIMED, që e detyroi Ogerta Manastirliun të mashtrojë qytetarët.
Është blerja me dy deri në katër fish e mjeteve mbrojtëse për mjekët, e kiteve të testimit apo respiratorëve, që ka detyruar Ministren të urdhërojë djegien e dokumenteve dhe fshehjen e ngjarjes.
Është babëzia për të vjedhur paratë e shqiptarëve që i detyron të zhyten edhe më shumë në krim, duke i vënë zjarrin dokumenteve apo duke zhdukur provat.
Çdo qytetar që ka humbur vendin e punës, çdo qytetar që e merr të përgjysmuar rrogën, çdo tregtar që kjo qeveri e ka zhytur më borxh, çdo shqiptar që po vuan padrejtësinë e kësaj qeverie sot ka të drejtë të ndjehet i tradhëtuar prej saj. Vjedhja e qytetarëve në kohë pandemie është tradhëti kombëtare.
Qytetarët e varfëruar edhe më shumë këtë kohë nga abuzimi, keqpërdorimi i parave të tyre dhe nga mungesa e mbështetjes nga shteti, kërkojnë drejtësi. Hajdutët në kohë pandemie duhet të shkojnë në burg!
Partia Demokratike kërkon nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion SPAK, të përfshijë në hetimin e kësaj çështje edhe djegien e dokumenteve më 15 Prill, siç e tregon ky email zyrtar, si dhe fshehjen e të vërtetës nga Ministrja e Shëndetësisë, duke mohuar publikisht rënien e zjarrit.
Ne kemi paralajmëruar që në fillim, tentativën e Edi Ramës dhe Ogerta Manastirliut për të manipuluar provat, për t’i zhdukur apo ndryshuar ato. Ky është një krim i ri, që duhet të hetohet pa asnjë vonesë”, u shpreh Spahia.
Një ditë më parë, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu përgënjeshtroi deklaratën e kryedemokratit Lulzim Basha se janë djegur domentetet për tenderat sekretë në godinën e ministrisë./abcnews.al