Kreu i Partisë Demokratike në Ditën e Europës është shprehur se kryeministri Rama është personi që e ka mbajtur peng integrimin e Shqipërisë. Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Basha thotë se pandemia e koronavirusit ka “nxjerrë zbuluar të gjitha dështimet e Ramës.
Po ashtu, duke iu referuar thirrjes së bërë më herët gjatë ditës nga Rama “për të treguar vullnetin e përbashkët dhe unitetin kombëtar për negociatat’, Basha në postimin e tij shprehet se “kryeministri nuk mund të maskohet dot pas thirrjeve hipokrite.”
Lexo edhe: Rama zbulon emrin e kryenegociatorit me BE-në: Gati të ulem me Metën dhe Bashën
Më tej, kreu i PD shkruan se “vendi tani është para një krize të thellë ekonomike sepse në vend që t’ju japë mbështetje njerëzve dhe ekonomisë, Rama po jua jep paratë e shqiptarëve një grushti klientësh dhe oligarkësh.”
Sa i përket integrimit të Shqipërisë në BE, Lulzim Basha thekson se plotësimi i 15 kushteve të vendosura nga unioni mbeten jetike për vendin.
Postimi i plotë:
Edi Rama dhe qeverisja e tij e kanë mbajtur peng integrimin europian të Shqipërisë dhe për shkakun e tij gjatë këtyre viteve kushtet janë shtuar nga 5, në 9 dhe tani janë 15 që duhen përmbushur. Ky është një dështim i Ramës, që nuk mund të maskohet dot pas thirrjeve hipokrite.
Pandemia për fat të keq tregoi edhe njëherë se Rama vazhdon të vjedhë dhe mashtrojë njerëzit duke i lënë ata pa ndihmën ekonomike që u takon të marrin nga shteti.
Pandemia tregoi se ai vazhdon ta përforcojë edhe më shumë bashkëpunimin me krimin e organizuar në një fushatë të turpshme të pastrimit të parave të pista. Pandemia tregoi se ai e vendos veten mbi ligjin dhe kushtetutën dhe se për veten dhe klientelën e tij shkel mbi gjithçka.
Vendi tani është para një krize të thellë ekonomike sepse në vend që t’ju japë mbështetje njerëzve dhe ekonomisë, Rama po jua jep paratë e shqiptarëve një grushti klientësh dhe oligarkësh.
Kjo krizë vetëm sa nxorri zbuluar të gjitha dështimet e Ramës: shëndetësinë e vjedhur, ekonominë e rrënuar, papunësinë e rritur, varfërinë në ekstrem, dhe shtetin prej kartoni të katandisur në regjim facebook-u. Janë dështimet e Ramës që po varfërojnë përditë njerëzit, po e rrënojnë ekonominë, dhe po na largojnë nga Europa.
Zbatimi i 15 kushteve të Bashkimit Europian për hapjen e negociatave është jetik për Shqipërinë dhe udhërrëfyesi i vetëm për nxjerrjen e vendit nga autokracia, paligjshmëria dhe kriza ekonomike, ku e ka zhytur Rama dhe regjimi i tij kusar. /abcnews.al/