Topçiu: Takim i vonuar, parashtruam këto kërkesa për rifillimin e futbollit

schedule18:40 - 9 Maj, 2020

schedule 18:40 - 9 Maj, 2020

FSHF ka mbajtur sot një takim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Mbrojtjes Sociale. Tema ishte rifillimi i futbollit në Shqipëri. Takimi zgjati pak më shumë se një orë, teksa ishin të pranishme edhe Mira Rakacolli dhe Eugena Tomini, si përfaqësuese  të Komitetit Teknik të Koronavirusit.

Aldi Topçiu mban postin e Drejtori Juridik në Federatën Shqiptare të Futbollit. Ai sqaron për Studio Sprint ABC News se çfarë u diskutua në takimin me autoritetet shtetërore dhe sqaron se çfarë pritet të ndodhë më sezonin e ndërprerë futbollistik.

TAKIMI – “Mund ta quaj një takim me nota pozitive, ndonëse një takim gati kortezie. Nuk besoj se pritej ndonjë ndryshim madhor për rifillimin e aktivitetit, sot nga ky takim. Nga Ministria na u konfirmua dëshira për të filluar aktivitetin, por, për të gjithë, primar është shëndeti i futbollistëve. Nuk arritëm dot të kishim një datë me të afërt për fillimin e stërvitjes kolektive, edhe pse na u premtua që do të punonin edhe përgjatë fundjavës për këtë cështje. Si takim i pare do e quaja pozitiv. Nëse ky takim do të ishte zhvilluar një javë më parë, ndoshta mund të ishin përshpejtuar disi hapat që po bëjmë sot.

Protokolli që ne kemi dorëzuar bën fjalë për ndeshjet, është një hap më përpara. Ministria e vlerësoi pozitiv, u vlerësua që mund të përdoret edhe kështu, pa ndryshime të mëtejshme. Nuk i shkuam pikë për pikë secilit propozim. FSHF ka përcaktuar datën 18 maj për stërvitje individuale. Shpjeguam se de fakto kjo stërvitje është realizuar nga lojtarët në shtëpi. Duam të fillojë një stërvitje me 5-6 lojtarë si Gjermani, apo siç do bëjë Portugalia, ose si në rastet e vendeve të rajonit, që janë në situata më të rënda se ne. Ne nuk kemi patur asnjë sportist të infektuar me COVID-19”.

TESTET – “Nuk ishte temë e prekur sot në takim. Do ndodhë nëse takimet vijojnë me ekspertët, pasi disa prej ekspertëve tanë nuk janë në Shqipëri, ndodhen në Itali. Është një kontroll shtesë që duhet bërë në rastet që bëhen nga protokollet”.

PYETJET E BEQAJT – “Nuk di të them, e pashë postimin e Beqajt. Nuk jam i fushës politike, përceptoj që në një vend ku politika bën pyetje dhe nuk i përgjigjet pyetjeve, ka një problem. Ne jemi mësuar me rregulla të shkruara, politika është mësuar me rregulla të pashkruara. FSHF i ka ngarkuar ligji detyrën për të organizuar futbollin, ndërsa politikës për t’u marrë me gjërat e tjerë. E vlerësoj pozitive që Federatës po i bëhen pyetje, tregon se Federata po e bën punën e vet. Më bën përshtypje se asnjë nga pyetjet e Beqajt, nuk u shtruan nga përfaqësuesit e Ministrisë”.

 

Takimi i zyrtarëve të FSHF-së me autoritetet shtetërore

LOJTARËT – “Nëse do të ketë lojtarë të infektuar? Ne nuk kemi propozuar asgjë që nuk është sugjeruar nga vendet e tjera të rajonit, apo vende që kanë patur situata më të rënda. Janë adresuar nga protokolli në mënyrë shteruese këto raste. Ne po tentojmë të rikthejmë aktivitetin futbollistik, duke patur në bazë shëndetin e futbollistëve. Do mbajmë qëndrim tjetër nëse rrezikohet shëndeti i lojtarëve nga seritë e takimeve me Ministrinë”.

SKENARI – “Skenari që ne jemi përballë sot, është skenari i fundit që FSHF ishte përgatitur. Kishim planifikuar rreth 4-5 raste të tjera për rifillimin, por nuk ishte e mundur për shkak të kushteve dhe vendimeve, që nuk më takon mua t’i gjykoj”.

MINISTRIA – “Ministria ishte pro rifillimit të futbollit, nënvizoi aspektet pozitive që sjell rifillimi i aktivitetit, edhe nga ana psikologjike. Këtu ishim në të njëjtën linjë. Takimi është pak i vonuar, duhet ta kishim filluar 1 apo 2 javë më parë, por kjo nuk varet nga Federata”.

KËRKESA – “Kërkesa jonë kjo ishte, stërvitja gjysmëkolektive ose kolektive, që mund të fillojë, ekspertët kështu thonë. Është e rëndësishme që çdo vendim të jetë i kordinuar me autoritetet dhe me qëllim final ruajtjen e shëndetit të futbollistëve”.

PROTOKOLLI SANITAR – “Mendoj që protokolli jonë ishte goxha i plotë dhe adreson shumicën e problemeve. Ne, çdo dokumet që do na vijë nga Ministria, do e ndajme me klubet. Kemi shkëmbyer informacionet e nevojshme dhe nuk kemi patur ankesa. Mbetemi në pritje, na u premtua që do punohet edhe gjatë fundjavës, shpresojmë të nisë sa më shpejt stërvitja dhe kampionati”. /abcnews.al