Nisur nga kjo e enjte çdokush duhet të tregoj kujdes të shtuar sa i përket respektimit të vendimeve të autoriteteve që kanë ardhur si pasojë e koronavirusit. Ndryshimet e Kodit Penal, të miratuara mes debatesh në një seancë më 16 prill, kriminalizojnë shkeljen e rregullave të karantinimit në kohë pandemie, shkelje të cilat ndëshkohen me gjoba dhe burgim deri në disa vjet.
Kështu, nisur nga kjo e enjte thyerja e rregullave në kohë epidemie, kur shkelësi ka marrë më parë masë administrative, dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.
Nëse urdhrat e autoriteteve thyhen nga ndonjë subjekt tregtar duke rrezikuar shëndetin e njerëzve, dënimi do të jetë nga gjobë në 2 vjet.
Kush thyen karantinën, pasi është njoftuar për këtë detyrim nga shteti, vitet e burgimit shtohen, nga 2 në 3 vjet.
Dënimet janë të forta dhe për ata që janë mbartës të virusit. Sipas parashikimeve, kush e përhap sëmundjen infektive kur është i diagnostifikuar si mbartës i virusit, dënimi është 2-5 vjet burg. Nëse kjo bëhet nga pakujdesia, dënimi është më i lehtë, gjobë deri dy vjet burg.
Në rast se kjo shkakton dëme serioze shëndetësore tek personat e tjerë, burgimi shkon nga 3-8 vjet.
Dënimet shtrihen dhe brenda anëtarëve të familjes. Deri në 3 vjet burg do të dënohet presioni psikologjik ndaj gruas, ish-gruas apo bashkëjetueses. Me tre vjet burg dënohet edhe presioni psikologjik dhe dhuna apo të afërmve. Në rast përsëritje kjo vepër përsëritet dënohet nga 1 deri në 5 vjet burg./abcnews.al