Bajerni në çerekfinale/Jup Hajnkes arrin fitoren e 11-të radhazi

schedule14:36 - 15 Mars, 2018

schedule 14:36 - 15 Mars, 2018

Trajneri i Bajernit, Jup Hajnkes, vendos një rekord për fitoret radhazi në Ligën e Kampionëve. Bavarezët u kualifikuan për në çerekfinale, ndërsa në stadiumin e Stambollit pati edhe momente humori.

Shanset duken se janë që të gjitha.

Bajerni e tregoi edhe një herë veten si kandidat të fortë për të fituar Ligën e Kampionëve, pikërisht në mbrëmjen kur trajneri i vet vendosi një rekord.

Suksesi 3-1 në stadiumin e Beshiktashit ishte fitorja e 11-të radhazi për Jup Hajnkesin, në Champions, duke lënë pas dy emra të shquar si Luis Van Gali e Karlo Ançeloti.

Seria nisi në pranverën e vitit 2013 dhe vazhdon edhe sot, ndërsa viktimat janë emra të shquar si Juventusi, Barcelona, Dortmundi, Sëlltiku, Anderlehti, Paris SG dhe tani Beshiktashi.

Shpresa e tifozëve është që, ashtu si në 2013, të fitohet trofeu i madh, dhe veterani 72-vjeçar nuk fshihet aspak.

Hajnkes: “Skuadra u tregua e përqëndruar dhe profesionale pavarësisht nga fitorja e thellë në ndeshjen e parë. Nuk ishte e lehtë në një stadium me publik tepër të zjarrtë, stadiumi më i zhurmshëm i Europës. Jam i kënaqur nga lojtarët e mi, edhe pse herë pas here pati ulje vëmendjeje, por kjo ishte normale. Natyrisht, ne synojmë të fitojmë Championsin, ky është objektivi, por duhet t’i marrim gjërat gradualisht. Besoj se shorti do të jetë i vështirë, pak rëndësi ka kundërshtari. Championsi nuk është një koncert me porosi”.

Gjithsesi, pavarësisht suksesit të madh në Champions, me 11 fitore radhazi e me 31 gola të shënuar në këta takime, Hajnkes e ka marrë vendimin për të ardhmen.

“Unë nuk jam në një moshë që mund të drejtoj një skuadër si Bajerni për një kohë të gjatë”, kanë qenë fjalët e tij për mediat.

Ndeshja në Stamboll, ndërkaq, ishte e gëzueshme për bavarezët jo vetëm për rezultatin, por edhe për një moment ndërprerjeje.

Ishte minuta e 49-të dhe gjyqtari anglez, Majkëll Oliver, vërshëlleu për të ndërprerë ndeshjenBajern.

Nuk ishte për zëvendësim apo karton, por sepse një mace kishte kërcyer nga reklamat në fushë.

Macja u fut në terren pasi mashtroi punonjësit e sigurisë, dhe nuk u arrit të kapej prej tyre, por zgjodhi që të kthehej përsëri në tribuna.

Bajerni vendosi të bënte një shaka dhe krijoi një sondazh në rrjetet sociale:

Kush ishte, për ju, lojtari më i mirë i ndeshjes: Tiago, Vagneri, Myleri apo Macja?

Pas disa mijëra votave, klubi bavarez deklaroi rezultatin: Ju folët, më i miri ishte MjauSanMjau./abcnews.al