Nga sot zyrtarisht Italia ka hyrë në Fazën 2 të pandemisë nga koronavirusi. Kryeministri Conte përmes nje postimi në faqen e tij në facebook i bëri thirrje italianëve për sens të lartë përgjegjësie teksa edhe deklaroi se nga sot e ardhmja varet nga përpjekja e gjithësecilit në këtë fazë bashkëjetese me koronavirusin.
Ai tha gjithashtu se sa më të përgjegjshëm të jemi në respektimin e masave të sigurisë aq më shpejt do të zgjerohen hapësirat e tjera të lirisë.
Shumë e kanë pritur me padurim 4 majin duke shpresuar se kjo do të ishte dita e rikthimit në normalitet, por në fakt nuk do të jetë kështu.
Sipas dekretit të fundit të qeverisë së kryeministirt Conte, shumë nga kufizimet e vendosura dy muajt e fundit do të mbeten akoma në fuqi.
Nga sot e deri më 17 maj do të rifillojnë nga prodhimi shumë aktivitete. Vlerësohet se rreth 65 % e italianëve nga sot do të rikthehen në punë.
Nga data 18 maj do të rihapen dyqanet dhe muzeumët kurse baret dhe restorantet do duhet të presin deri më 1 qershor.
Sot italianët do të kenë mundësi të dalin për të vizituar të afërmit por e kanë të ndaluar organizimin e festave dhe banketeve me ta.
Do lejohet lëvizja brenda rajoneve por jo jashtë tyre, përveçse për arsye pune, arsye shëndetësore ose urgjencë të aprovuar nga autoritetet.
Nga sot është i lejueshëm praktikimi i sportit në natyrë edhe larg nga shtëpia, gjithmonë me detyrimin për të shmangur tubimet dhe për të respektuar distancat e sigurisë.
Fjalët kyçe që do të jenë kryefjala e javëve në vazhdim janë distancimi fizik dhe ndalimi i tubimeve, detyrimi për të mbajtur maskë në ambiente të mbyllura përfshi në transportin publik dhe trena, masa këto për të respektuar dhe rritur standartet e sigurisë së njerëzve.
Shumë në fakt e kanë quajtur fazën e sotme të pandemisë jo 2 por faza 1.5 për arsye se prisnin edhe më shumë masa lehtësuese nga qeveria dhe grupi i ekspertëve të shëndetësisë, por hapat e kujdesshëm asnjëherë nuk janë të dëmshmë e sidomos në Itali, ndër vendet e goditura më shumë nga koronavirusi, deri tani me rreth 29 mijë, me dëme jashtëzakonisht të mëdha ekonomike, sociale dhe psikologjike./abcnews.al