22 vjeçari Klevis Alla ka zbuluar dy ngjarje të rënda kriminale në Durrës, në të cilat ai ka qenë vetë pjesëmarrës bashkë me Altin Ndocin, të dy të arrestuar tashmë nga policia. Alla është kthyer në bashkëpunues dhe ka rrëfyer detaje të ekzekutimit të bujshëm të vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës.
Pasi u shoqërua dhe u mor në pyetje si i dyshuar, Alla është bindur dhe ka treguar të gjithë skemën e vrasjes, ndërsa siç duket edhe nga fotot e mësipërme ai është dërguar nga policia edhe në vendin ku kanë hedhur armët duke u treguar me gisht kanalin ku ishin përpjekur të fshihnin gjurmët.
Klevis Alla ka rrëfyer gjithashtu se kishin ekzekutuar gjithashtu Dorjan Shkozën dhe Anxhelo Avdinë në 2 mars në Durrës me ardhër të një grupi kriminal.
I riu është shprehur para grupit hetimor se i kanë vrarë vëllezërit Haxhia pasi ishin konfliktuar për modifikimin e një makine të vjedhur.
“Ne jemi një grup që merremi me vjedhje makinash dhe i dërgonim për t’i modifikuar tek servisi i Dorjan Shkozës dhe vëllezërve Haxhia. Me Besmirin jemi prishur për një konflikt që patëm për një makinë. Besmiri nuk na i dha paratë e një makine siç kishim rënë dakord. I kërkuam paratë por Besmiri nuk na i dha. Me Viktorin nuk kemi patur probleme, por qëlluam për të mos lënë dëshmitarë”, mësohet të jetë shprehur Klevis Alla para hetuesve.
Nga postimet që hedh në rrjetet sociale, Alla duket të jetë një i ri i apasionuar ndaj makinave, por që kishte gjetur rrugën e shkurtër për sigurimin e tyre përmes vjedhjes, modifikimit dhe rishitjes në treg. /abcnews.al