E ardhmja e Lautaro Martinez po mban në ankth tifozët e Interit. Barcelona nuk heq dorë nga sulmuesi argjentinas dhe 22-vjeçarin mund ta shohim në një skuadër me Leo Messin sezonin e ardhshëm. Diego Milito është ndalur te kjo çështje në prononcimin e fundit.
Ish-sulmuesi i Interit, thur elozhe për patriotin e tij dhe nuk i qetëson tifozët zikaltër, duke pranuar se mundësia për të luajtur me Leo Messin është diçka shumë e bukur. “Lautaro nuk është pjesë e Interit falë meje, por prej faktit që është një futbollist i madh. Mendoj se ndihet mirë te zikaltrit, por të luash te Barcelona me Leo Messin është një mundësi shumë e mirë.
Ai është një futbollist i kompletuar dhe po bën gjëra gjeniale tek Interi. Realisht nuk e di çfarë do të ndodhë me të, edhe pse kam dëgjuar shumë zëra në lidhje me të ardhmen e tij“, deklaron Diego Milito, ish-sulmuesi i njohur i skuadrës italiane. /abcnews.al