Shpëtim Idrizi kreu i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet në një lidhje me skype me gazetaren Mirela Milori dha opinionin e tij për situatën që po kalon vendi për shkak të koronavirusit.
Sipas Idrizit, qeveria ka treguar papërgjegjshmëri për të marrë masat ndaj epidemisë, edhe pas thirrjeve të opozitës që në muajin shkurt. Idrizi tha se virusi ka qarkulluar që në janar apo edhe në shkurt, kohë në të cilën janë zhvilluar grumbullime masive, siç ishte Kongresi i Partisë Socialiste apo protesta e thirrur nga Presidenti në 2 mars.
Lock down i thellë në mënyrë të menjëhershme sipas Idrizit solli një dëm të madh ekonomik në vend, pasi qeveria nuk i mori seriozisht thirrjet e opozitës.
Çfarë bën më shumë përshtypje, thotë Idrizi, është fakti se komitetin e ekspertëve asnjëherë nuk e pamë të dilte dhe të fliste, dhe nuk e mësuam asnjëherë përbërjen e tij.
“Pas dy muajve mbyllje totale, ne mund të bëjmë një lloj analize se si ka shkuar. Me sa duket covidi ka qarkulluar që në muajin janar në Shqipëri. Do doja të sillja në vëmendjen tuaj që ne atë kohë kemi bërë thirrje qeverisë të merrte masa dhe të përgatitej për këtë pandemi. Gjatë shkurtit, dhe fillim marsit kemi patur grumbullime masive. Mjekësia këto vitet e fundit ka pësuar një bjerrje totale. Sistemi jonë nuk ishte gati, por paaftësia dhe humbja e kohës së çmuar ne të ishim të detyruar që të futeshim në një lock dawn të thellë e cila ishte e domosdoshme. Për këtë nuk mund ta marrë meritën rilindja pasi karantinimi daton shumë herët. Gjatë kësaj kohe nuk pamë asnjëherë se kush ishte këshilli teknik i ekspertëve, nuk i pamë asnjëherë ata. Pamë vetëm Ramën që fliste nga Surreli”.
Pyetje: Ditën e nesërme fillojnë lëvizjet, pra lehtësohen edhe disa masa të tjera, a mendoni se i jep frymë ekonomisë?
“Gjatë këtyre dy muajve ne kemi parë deklarime kontradiktore. Amullia me shifrat dhe mospasja e institucioneve relevante edhe të besueshme ka sjellë problematikën më të madhe për sa i përket turizmit. Po të shohësh nga të dhënat jemi vendi me testime më të ulëta dhe vendi me vdekshmërinë më të lartë. Mungesa e një strategjie të qartë, dhe mungesa e një deklarate nga ana e specialistëve ka sjellë një situatë që me sa duket varet nga vullneti i një kryeministri.
Ne po hapemi dhe nuk po bëjmë testime, dhe nuk e dimë si është situata. Ne qëndronim në shtëpi të gjithë dhe ndërkohë kryeministri lejonte fasoneritë të cilat u kthyen në vatrat më të mëdha të infeksionit. E gjithë kjo kakofoni tregon dy gjëra; propagandën e Edi Ramës për të dalë shpëtimtar, kur ndërkohë është përgjegjësi kryesor për këtë amulli dhe mbi të gjitha përgjegjësi për shkatërrimin e ekonomisë shqiptare”./abcnews.al