Serbia, shqetësimi më i madh në Ballkan/Gjenerali amerikan alarmon senatin

schedule14:24 - 13 Mars, 2018

schedule 14:24 - 13 Mars, 2018

Komandanti i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në Europë gjatë dëshmisë në Senatin amerikan për ndikimin e Rusisë në Ballkan bëri të ditur se shqetësimi i tij më i madh për këtë çështje është Serbia. Këtë deklaratë, qeveria serbe e konsideron si një thirrje që vendet e Ballkanit të ngrihen kundër Serbisë.

Komandanti i ushtrisë së SHBA në Europë ka dëshmuar para Senatit Amerikan për ndikimin rus në Ballkan. Duke iu përgjigjur pyetjeve të senatorëve, gjenerali Curtis Scaparrotti, tha se në rrafshin e ndikimit rus në vendet e Ballkanit, Serbia është shqetësimi më i madh. Më pas gjenerali u pyet që të qartësojë nëse po flet për Serbinë apo Republikën Serbe në Bosnjë. Scaparrotti u përgjigj prerë duke thënë se është pikërisht Serbia.

Gjeneral Curtis Scaparrotti, komandant i ushtrisë së SHBA në Europë:“Unë dua t’iu tregoj që Serbia si komb, por edhe popullata serbe, kanë një lidhje historike me rusët, ndiejnë njëfarë bashkimi me ta. Për shkak të kësaj, një mundësi më të mirë për influencën ruse. Dhe ata përfitojnë nga kjo në drejtim të dezinformimit, ndikimit mbi atë popullsi – në disa raste, ndoshta me Serbinë, në lidhje me Kosovën, ose brenda qeverisë trepalëshe të Bosnjë dhe Herzegovinës. Ky është shqetësimi im, dhe unë kam parë një rritje të këtij fenomeni në një vit e gjysmë që kam qenë I ngarkuar me këtë punë”.

Ndërkohë, nga ana tjetër për këto deklarata ka reaguar dhe ministri i mbrojtjes i Serbisë, Aleksandër Vulin. Ai thotë se dëshmia e Gjeneralit të Ushtrisë Amerikane për ndikimin e Rusisë në Ballkan ishte deklarata me e rrezikshme anti-Serbe që prej kohës kur NATO bombardoi Serbinë për të ndaluar masakrën ndaj shqiptarëve në Kosovë. Sipas ministrit, kjo është një thirrje për të gjithë qytetarët e Ballkanit që të bashkohen kundër serbëve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!