Kanë kaluar 8 vite, por duket sikur ndodhi dje. Ishte 25 prilli i vitit 2012 kur Reali i Madridit i drejtuar nga Jose Mourinho, doli jashtë Champions-it pas gjuajtjes së penalltive ndaj Bayern Munchen në “Santiago Bernabeu”.
Trajneri portugez, që fitoi titullin ndoshta më të bukur të karrierës, kur u shpall kampion i Spanjës, e mbylli atë mbrëmje duke qarë, i bindur se do të kishte qenë i vështirë të përsëritej ai sezon.
Gjithsesi, disfata “milimetrike” në Ligën e Kampionëve, që i mohoi Champions-in e tretë në karrierë, ishte njolla e vetme për portugezin në atë edicion historik.
Pikërisht si sot 8 vite më parë, në 2 maj 2012, Reali u shpall kampion i La Liga, pas ndeshjes së luajtur në stadiumin e Athletic Bilbao. Një fitore 3-0 si një konfirmim.
Madridi i Mourinhos mblodhi 100 pikë, një rekord i La Ligës që u barazua një vit më vonë nga Barcelona e Vilanovës. Reali, po ashtu, shënoi 121 gola dhe ky mbetet ende rekord i La Liga, duke pasur diferencë rrjetash +89.
Të gjitha këto ndaj një Barcelone të jashtëzakonshme të drejtuar nga Pep Guardiola, dhe me boshtin Xavi-Iniesta-Messi. Ishte sezoni në të cilin Lionel Messi shënoi 50 gola në kampionat, duke qenë rekordmeni i të gjitha ligave të mëdha europiane, atëherë dhe sot. Ishte sezoni kur Cristiano Ronaldo arriti në 46 gola.
Mourinho ka fituar shumë tituj në karrierë, plot 25 trofe, në Portugali, Angli, Itali, Spanjë e sërish në Angli, por ndoshta titulli i vitit 2012 me Realin, mbetet më i shkëlqyeri./abcnews.al