Opozita parlamentare bën propozimin e papritur: Tunele dezinfektimi për kamionët në dogana

schedule15:22 - 2 Maj, 2020

schedule 15:22 - 2 Maj, 2020

Gjatë këtyre muajve izolimi dhe punimesh online të Kuvendit, deputetët kanë shumë pak për të bërë.

Ligjvënësit e opozitës janë ankuar se nuk mund të debatojnë sa duhet pasi seancat parlamentare janë të shkurtra dhe minutazhi për ta, shumë i vogël.

Por kjo nuk i ka penguar disa prej tyre të gjejnë rrugët zyrtare për tu shfaqur të dobishëm për votuesit, madje duke mos i kursyer idetë, të cilat janë nga më të cuditshmet.

Së fundmi, Edmond Stojku, që është bërë deputet nga listat e LSI-së, dhe që tashmë drejton një grup të vogël parlamentar të quajtur “Demokraci dhe Drejtësi”, kërkon masa shtesë për parandalimin e infeksioneve.

Ai ka depozituar një projekt në Kuvend duke kërkuar që të ndryshohet ligji për sëmundjet infektive, duke vendosur një nen, i cili detyron të gjitha pikat doganore, detare apo tokësore, të vendosin tunele dezinfektimi, me qëllim që të pastrohen nga viruset kamionët dhe kontenierët.

Deputeti thotë se kostot e këtij shërbimi ti paguajë vetë biznesi që sjell kamionët. Në rast se refuzohet ky shërbim, Edmond Stojku kërkon që operatorët të gjobiten nga 500 në 1 milionë lekë, e në rast përsëritjeje të mbyllet aktiviteti.

Stojku ka pasur angazhim në fushën mjekësore gjatë kohës së tij në LSI, por pavarësisht kësaj eksperience, ai nuk propozon në këtë projektligj detyrimin që në dogana të dezinfektohen njerëzit, por vetëm makinat.

Të gjitha referencat shkencore kanë treguar se COVID 19, rast nga i cili deputeti është nisur për ketë propozim, shpërndahet përmes njerëzve dhe jo përmes automjeteve.

ABC News i kerkoi deputetit nje shpjegim per kete qasje, por ai nuk komentoi.

Mbetet për t’u parë qasja e mazhorancës ndaj kësaj nisme, nëse ajo do të miratohet, apo do të ngelë vetëm si një gjurmë parlamentare e një deputeti që ja arriti të lërë shenime në arkivat parlamentare si nismëtar i një ligji të ngelur në tentativë./abcnews.al