Ilir Meta viziton familjen e Agur Vrenozit

schedule19:08 - 12 Mars, 2018

schedule 19:08 - 12 Mars, 2018

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ishte në qytetin e Fierit, ku nderoi veprën vetëmohuese dhe shembullin frymëzues të Agur Vrenozit, i cili dha jetën në përpjekje për të mbrojtur bashkëqytetarët nga goditja e pamëshirshme e krimit.

Fillimisht, Presidenti Meta zhvilloi një vizitë në shtëpinë e të ndjerit Agur Vrenozi, ku shprehu personalisht ngushëllimet e sinqerta, solidaritetin institucional për humbjen e njeriut të tyre të shtrenjtë si dhe mbështetjen e palëkundur shtetërore për familjarët dhe të afërmit.

Presidenti Meta vuri në dukje se akti vetëmohues ishte një rast i qartë qytetarie dhe solidariteti, një shembull i rrallë frymëzimi dhe humanizmi i vlerave më të larta të shqiptarëve dhe se Aguri tregoi dhe vërtetoi se shoqëria shqiptare nuk mund të mposhtet dot as nga krimi dhe as nga kriminelët që përpiqen të kërcënojnë e të cënojnë jetën dhe pronat e qytetarëve të vendit tonë.

Në një ceremoni solemne me pjesëmarrjen e Kryetarit të Bashkisë, Armando Subashi, Prefektit Baki Bala, deputetëve të Qarkut të Fierit, anëtarëve të Këshillit Bashkiak, familjarëve dhe dhjetëra qytetarëve, Presidenti i Republikës i akordoi Agur Vrenozit (pas vdekjes) “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”./abcnews.al