Detaje të reja janë zbuluar këtë të martë, nga vrasja e dy vëllezërve Haxhia një ditë më parë në Durrës.
Gazetari Leonidha Musaj, raporton për Abc News se nga pamjet e kamerave të sigurisë është zbuluar se ka qenë një “Toyota” ngjyrë gri e errët nga ku është qëlluar, por targa nuk është fiksuar.
Gjithashtu gazetari i Abc News ka bërë me dije se deri më tani në lidhje me këtë ngjarje të rëndë janë shoqëruar 35 persona, dëshmitarë okularë, bashkëpunëtorë biznesi dhe të afërm për të zbuluar konfliktet që mund të kishin.
Lexo edhe:Ekzekutim mafioz në Durrës, sekuestrohen 8 kamera sigurie, shoqërohen mbi 30 persona
Ngjarja që tronditi Durrësin ka ndodhur pasditen e djeshme, ku viktimë kanë mbetur dy vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia me origjinë nga Puka por me banim në Durrës.
36-vjeçari Besmir Haxhia është një emër i skeduar nga drejtësia ndërkombëtare, ai njihej ndryshe me nofkën “Miri i Kolës”, ai ishte dënuar me disa vite për trafik droge, dhe me pas është rikthyer në Durrës.
Ndërsa i vëllai , 27 vjeçari Viktori, ishte avokat me licencë prej 3 vitesh, por pa qenë aktiv në sistemin e drejtësisë. Dy vëllezërit kishin në pronësi prej vitesh, disa biznese në Durrës të cilat kanë qenë në emër të avokatit Viktor Haxhia, pasi Besmiri ishte me precedent penal.
Ata dispononin një pikë makinash me qira, lavash, nje exchange dhe karrotrec automjetesh. Nga të dhënat rezulton se 3 personat që i ndiqnin, hapën zjarr ndaj tyre me të mbërritur në pikën e automjeteve me qira, duke qëlluar me breshëri automatike ndërsa vëllezërit ndodheshin në makinën , tip “Golf”. 55 plumba kanë rënë mbi këtë makinë, e për tu siguruar se të dy kishin vdekur, njëri nga atentatorët ka dalë nga makina për të verifikuar këtë, dhe më pas janë larguar me automjetin në drejtim të Shkozetit.
Policia ka disa pista në hetim, njëra prej të cilave me kryesorja është ajo e larjes së hesapeve për borxhe të pashlyera./abcnews.al