Çuçi: Nuk kemi financim të posaçëm për bujqësinë, peshkimi dhe agro-turizmi më të dëmtuar

schedule16:07 - 27 Prill, 2020

schedule 16:07 - 27 Prill, 2020

Qeveria nuk po përgatit ndonjë paketë të posaçme për të ndihmuar bujqësinë dhe peshkimin të tejkalojnë efektet e pandemisë globale.

Gjatë një interviste për “ABC News”, ministri Bledi Çuçi tha se deri më tani ky sektor nuk ka arritur në pikën kritike.

 “Deri tani nuk ka pasur nevojë për të ndërhyrë politika me financim për këtë sektor. Çfarë do të ndodhi më vonë ende nuk e dimë”, tha Çuçi.

Ky vendim është marrë mbi të dhënat e deri tanishme, ku bujqësia rezulton e pa dëmtuar sipas ministrit.

“Sa i takon sektorit të bujqësisë mund të themi se nuk kemi pasur një ndikim negativ deri më sot sepse në asnjë moment nuk e penguam pjesën prodhimit bujqësor po ashtu edhe qarkullimin e produkteve bujqësore”, u shpreh ministri Çuçi.

Prodhimet shqiptare kanë vijuar të dalin në tregjet e huaja edhe gjatë kësaj kohe izolimi, përmes korridoreve të gjelbër të eksporteve.

“Eksportet e produkteve bujqësore janë rritur krahasuar me marsin e 2019-tës, rritja ka shkuar në rreth 20%”, tha më tej Çuçi.

Kjo rritje nuk shikohet nga institucionet si një favor që solli Covid-19.

“Këtë rritje do e kishim edhe sikur të mos ishte COVID”.

Më i dëmtuar është sektori i peshkimit.

“Sektori i peshkimit është sektori që është prekur më shumë sepse konsumi i brendshëm varet shumë nga turizmi dhe biznesi i shërbimit. Gjithashtu ka pasur luhatje nga vende që ne importojmë produkte tona”, tha më tej ministri Çuçi.

Por as në këtë sektor qeveria nuk po jep deri tani asnjë mbështetje financiare.

“Ata e kanë mbajtur deri tani përsipër situatën, me sakrificën e tyre. Nuk e dimë sa do të shkojë, por ka një lajm të mirë pasi është rritur kërkesa sidomos për peshkun shqiptar sidomos nga Italia”, tha ai.

Dëme ka dhe sektori i agroturizmit.

“Ato janë në të njëjtën vështirësi. Por ka një të mirë pasi në parim agroturizmi prodhon vetë lokalisht dhe shet produktet”, sqaroi Çuçi.

Njësitë e agro-turizmit nuk do të hapen më herët, por vendimi për to do të jetë i njëjtë si të gjithë restorantet e tjerë./abcnews.al