Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një 53 vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për drogë. Në kuadër të operacionit të koduar “Trushi”, është bërë i mundur arrestimi i Fran Malocaj, banues në Trush, Shkodër.
Uniformat blu bëjnë me dije se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Apelit ne Ankona / Itali, në vitin 2018, e ka dënuar me 6 vjet burg, për kryerjen e veprës penale “Trafik narkotikësh, kryer në bashkëpunim”.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Trushi”.
Kapet një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar nga drejtësia italiane.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZQK Interpol Tirana, Departamentin e Policisë Kriminale dhe misionin Interforza, kanë bërë të mundur lokalizimi në qytetin e Shkodrës, të 53-vjeçarit të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në këtë kuadër, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër u zhvillua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Trushi”. Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit shqiptar Fran Malocaj, 53 vjeç alias Françesk Pashku, 52 vjeç banues në Trush, Shkodër.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Apelit ne Ankona / Itali, në vitin 2018, e ka dënuar me 6 vjet burg, për kryerjen e veprës penale “Trafik narkotikësh, kryer në bashkëpunim”.
Ky shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka trafikuar nga Shqipëria drejt Italisë, një sasi lënde narkotike të llojit kokainë.
Arrestimi provizor u krye me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957 dhe marrëveshjen dypalëshe mbi ekstradimet nënshkruar mes Republikës së Shqipërisë dhe Italisë. /abcnews.al