Pas dështimit të seancës së të martës ku pritej miratimi i ligjit për gjuhën shqipe në parlamentin e Maqedonisë, kryetari i saj Xhaferi u shpreh në një intervistë për mediat vendase se disa deputetë të LSDM-së kanë ndërruar mendim dhe nuk do ta votojnë atë.
Seanca parlamentare ku do të votohej ligji për përdorimin e gjuhëve, e parashikuar për të martën në Maqedoni, nuk u mbajt për shkak se shumica nuk kishte votat e mjaftueshme, pasi disa nga deputetët e LSDM-së nuk do ta votonin këtë ligj. Deklarata është bërë nga kryetari i parlamentit Talat Xhaferi, në një intervistë për televizionin vendas Alsat M. Sipas tij ligji për gjuhët nuk mund të quhet i përfunduar, pasi në rajon ngjarjet rrjedhin shpejt dhe ajo që është ndërtuar deri në një pikë, mund të shembet për 24 orë.
Më tej Xhaferi u shrpeh se i ka dhënë kohë një javë partive politike për të gjetur një zgjidhje, sepse mundësitë e tija tashmë kanë përfunduar.
I pyetur se si pret të reagojë opozita nëse ligji votohet pa diskutimin e amandamenteve, Xhaferi tha se nuk pret që opozita të bjerë dakord dhe për pasojë pret reagimin e tyre në kuadër të procedurës. Por nga ana tjetër kryetari i parlamentit bëri të qartë se nuk lejon të shantazhohet apo të pranojë ultimatum nga askush, sepse Kuvendi nuk funksionon në këtë mënyrë.
Xhaferi nuk pranoi se koalicioni qeveritar është në krizë, pavarësisht se pranoi se ishin deputetët e LSDM-së ata të cilët bënë të pamundur zhvillimin e seancës së të martës. /abcnews.al