Arturo Vidal është një luftëtar në mesfushë dhe çdo cep të fushës. Lojtari nga Kili është fiksimi i madh i Antonio Contes. Të dy kanë punuar së bashku te Juventusi dhe trajneri italian dëshiron të bashkohet përsëri me të tek Interi.
Reinaldo Rueda, trajneri i kombëtares së Kilit, ka folur rreth 32-vjeçarit dhe të ardhmes së tij. Kolumbiani thur elozhe për Vidal në një intervistë për Sport, zbulon se Dortmundi është futur në garë për të dhe beson se do të kthehet në Serie A.
“Arturo është një lojtar i jashtëzakonshëm, i cili ka treguar cilësitë e tij në Itali dhe Gjermani. Të njëjtën gjë po bën edhe në Spanjë. Ia del gjithmonë të transmetojë karakterin dhe personalitetin që ka. Është një përbindësh në këtë aspekt dhe ne u gëzuam shumë kur firmosi me Barcelonën.
Merkato? Ai dëshiron të jetë gjithmonë protagonist, e mbyt ankthi kur nuk arrin të japë kontributin e tij. Mendoj se është i lumtur te Barcelona, por ka shanse të rikthehet në Itali. Kohët e fundit është interesaur edhe Dortmund për të”, deklaron Reinaldo Rueda. /abcnews.al