Siri, forcat qeveritare avancojnë në Guta

schedule22:41 - 2 Mars, 2018

schedule 22:41 - 2 Mars, 2018

Forcat qeveritare siriane kanë avancuar ndjeshëm në rajonin lindor të Gutës, duke marrë një pjesë dërrmuese të territorit që konsiderohej bastion i rebelëve.

Forcat qeveritare siriane, pas dy javë bombardime kanë marrë nën kontroll një pjesë të mirë të rajonit lindor të Gutës, i konsideruar bastion i rebelëve. Lajmin e ka bërë të ditur një komandant i trupave, i cili ka deklaruar se synimi është që njësitë pro-qeveritare të avancojnë hap pas hapi.

Në atë që njihet si ofensiva më e rëndë e luftës që nga nisja e konfliktit, bombardimet u kanë marrë jetën disa qindra personave në vetëm 12 ditë. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka zhvilluar këtë të premte biseda telefonike me liderët e Francës dhe Gjermanisë. Emmanuel Macron ka rënë dakord me homologun amerikan që të punojnë së bashku për të implementuar armëpushimin e rënë dakord në OKB, që nuk ka gjetur zbatim në terren.

Gjithashtu, presidenti francez i ka bërë thirrje Moskës që të influencojë tek Damasku zyrtar për ta aplikuar marrëveshjen e arritur muajin e kaluar në Këshillin e Sigurimit. Pakti parashikon një armëpushim 30-ditor që do të mundësojë krijimin e kanaleve humanitare për evakuimin e popullsisë civile që ka mbetur e bllokuar.

Rusia, që mbështet qeverinë siriane në këtë luftë, insiston nga ana e saj për një armëpushim ditor disaorësh, që gjithashtu ka dështuar të hyjë në fuqi. Ndërkohë, komisioneri i lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Zeid bin Raad al Husein ka deklaruar se sulmet e kryera nga regjimi sirian në Guta do të konsiderohen “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”./abcnews.al