“BAD BOYS TOP 11”, kështu e quan “Transfermarkt” formacionin me 11 lojtarët e ndëshkuar më së shumti. Një pjesë e tyre janë në aktivitet akoma, të tjerë e kanë mbyllur me futbollin e luajtur dhe po bëjnë karrierë si drejtues apo trajnerë. Emra të njohur të gjithë, pa përjashtim, nga porta në sulm, nga ata që kanë provuar të fitojnë trofe të rëndësishëm, të udhëheqin skuadrat e tyre dhe sot gëzojnë reputacion të lart në botën e futbollit, edhe pse shpesh herë janë detyruar të lënë fushën e blertë para kohe.
JENS LEHMAN (7 kartonë të kuq), ish-portieri i Gjermanisë, i cili ka provuar të luajë në Gjermani me skuadra si Schalke 04, Sttutgart dhe Borussia Dortmund. Gjithashtu ai ka veshur edhe fanellën e Milan dhe Arsenal, në Serie A dhe Premier League
SERGIO RAMOS (26 kartonë të kuq), kapiteni i Real Madrid, lojtar për të cilën nuk ka nevojë për shumë komente. Qendërmbrojtësi njihet edhe për ndërhyrjet e tij të pista, çka e konfirmojnë edhe kartonët e kuq që ka marrë. Madje është rekordmen.
PEPE (12 kartonë të kuq), një mbrojtës qendre, që është kthyer në Portugali, te Porto. Më parë ai është aktivizuar edhe me Maritimo, ndërkohë që për 10 sezone spikati me Real Madrid, duke fituar gjithçka, veç kartonëve të kuq, që nuk kanë qenë të paktë.
MARCO MATERAZZI (15 kartonë të kuq), tipik italian, ndaj edhe kartonët e kuq kanë qenë të shumtë. Ish-mbrojtësi i Inter, Everton dhe Perugia, nuk i kursente ndërhyrje e ashpra, çka normalisht më pas edhe ndëshkoheshin.
PATRICE EVRA (12 kartonë të kuq), një nga mbrojtësit më të mirë të majtë për disa vite. Francezi është një nga ata që kishte dëshirë të dilte shpesh para, por nuk i kursente edhe ndërhyrjet e tepruara, që janë përkthyer në kartonë të kuq. Kulmin e pati me Manchester United, ndërkohë që ka qenë edhe titullar i padiskutueshëm te Franca.
DANIELE DE ROSSI (15 kartonë të kuq), mesfushor i spikatur te Roma dhe kombëtarja e Italisë, i cili në vitet e fundit nisi të luante si qendërmbrojtës. Pozicioni i tij, si shkatërrues, e detyronte shpesh atë të ndërhynte në mënyrë të gabuar. Ndaj edhe kartonët e kuq nuk kanë qenë të paktë për italianin.
ZINEDINE ZIDANE (14 kartonë të kuq), mesfushor me një diapazon të madh, por që e ka provuar shpesh kartonin e kuq. Më i famshmi është ai në finalen e Botërorit, kur goditi me kokë Marco Materazzin e Italisë. Cannes, Bordeaux, Juventus dhe Real Madrid ishin stacionet e tij në karrierë dhe ka fituar gjithçka, ashtu sikurse me Francën.
EDGAR DAVIDS (25 kartonë të kuq), të gjithë e mbajnë mend se si holandezi, që tërhiqtë vëmendjen me syzet e tij, i merrte përpara kundërshtarët e tij. Fitoi thuajse gjithçka si lojtar, duke luajtur me skuadra si Ajax, Milan, Juventus, Inter dhe Tottenham. Titullar edhe në kombëtaren e Holandës, ndërkohë që për kartonë të kuq ia kalon vetëm Ramos.
FRANCESCO TOTTI (16 kartonë të kuq), fantazisti që shënonte gola pafund, vetëm me Romën dhe Italinë. Lojtar flamur, që ndonjëherë nuk i përmbante nervat dhe jepte edhe ndonjë shkelm, siç ka ndodhur me Mario Balotelli në një ndeshje mes Interit dhe Romës.
MARIO BALOTELLI (13 kartonë të kuq), sulmuesi italian, më së shumti kartonët e kuq i ka marrë për sjelljen e tij. Lojtarit i Brescia njihet për temperamentin e tij dhe është ndër lojatrët më të ndëshkuar që luan në sulm. Kurrë nuk u ngjit aty ku pritej, por ka luajtur për klube të mëdha si Inter, Milan, Manchester City dhe Liverpool.
ZLATAN IBRAHIMOVIC (13 kartonë të kuq), 38 vjeç dhe ende luan. Suedezi i Milanit, gjatë karrierës së gjatë të tij, shpesh është ndëshkuar me kartonë të kuq. Si një ish-karaterist, ndonjëherë edhe i çon këmbët më lart seç duhet, sikurse edhe i pëlqen ti përdorë edhe bërrylat. Për të mos harruar që është e vështirë t’ia mbyllësh gojën… /VLADIMIR PRENGA – abcnews.al