Deputeti i opozitës, njëherazi edhe nënkryetar i Kuvendit Myslym Murrizi ka dalë kundër mbledhjes së sotme të parlamentit për ndryshimet në kodin penal. Murrizi tha se është shkelur afati për përcaktimin e rendit të ditës, por edhe futja e ndryshimeve të kodit penal në seancën e sotme plenare.
“Rendi i ditës duhet të shpallet 48 orë paras shpalljes së seancës. Kodi penal nuk ka asnjë lloj afati sipas rregullores. Nuk parashikohet që ligjet e përshpejtuara të futen në Kuvend. Nëse për një çështje të caktuar do vendosej afat kohor do isha dakord. Koha ndahet mes pozitës dhe opozitës. Unë them se është shkelur edhe rregullorja e Kuvendit, edhe futja e kodit penal në seancë”, tha Murrizi.
Lexo edhe: Seanca e pazakontë në Kuvend, si janë ulur deputetët
Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi tha nga ana tjetër se rendi i ditës është përcaktuar brenda afateve të përcaktuara , ndërkohë që ndryshimet e propozuara në kodin penal janë të mbështetura në amendimet e tre muajve më parë.
“Këtu nuk është mbledhje e kryetarëve të partive. Për rendin e ditës janë 48 orë, por jo më pak se 24 orë. Këtu nuk ka shkelje. Ndryshimet në kod nga Komisioni i Ligjeve është shqyrtuar nisma e tre muajve më parë. Sipas rregullores, çdo deputet ka të drejtë të bëjë amendime. Deputetja ka depozituat amendimet përkatëse. Megjithëse kanë qenë dy amendime, është bërë një konsulencë e gjerë me 14 institucione dhe mbi 30 organizata të shoqërisë civile. Të gjitha problemet janë adresuar. Ndryshimet janë vetëm për këtë kohë. Është brenda rregullores së Kuvendit. Konferenca e kryetarëve është mbledhur. Seancat plenare fillojnë nga 50% të deputetëve, ashtu sikurse kanë adaptuar votimin elektronik. Nëse duhet të kuptojmë se jemi në kushte të jashtëzakonshme bëjmë edhe ndryshimet për të qenë brenda rregullores”, tha Ruçi./ abcnews.al