Kreu i OBSH: Na vjen keq për vendimin e Trump për ndërprerjen e fondeve

schedule07:18 - 16 Prill, 2020

schedule 07:18 - 16 Prill, 2020

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetit Tedros Adhanom Ghebreyesus ka reaguar ndaj vendimit të presidentit Donald Trump, i cili një ditë më parë deklaroi se do të ndalonte financimin e kësaj agjencie dhe bëri thirrje për unitet global në luftën kundër pandemisë.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë prej një kohe të gjatë mik bujar i OBSH-së dhe shpresojmë se do të vazhdojë të jetë kështu. Na vjen keq për vendimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara për të urdhëruar ndalimin e financimit për OBSH-në”, tha ai.

Ndër të tjera kreu i OBSH-së tha se performanca e saj në krizë do të vlerësohet më vonë, si pas çdo ngjarjeje të tillë.

“Në kohën e duhur performanca e OBSH-së në trajtimin e kësaj pandemie do të analizohet nga vendet anëtare të OBSH-së dhe organe të pavarura që janë krijuar për të siguruar transparencë dhe përgjegjshmëri,” tha Dr Tedros.

OBSH-ja gjithashtu ndihmon më të varfërit e botës që të luftojnë sëmundje të tilla si poliomeliti, fruthi, malarja, Ebola, HIV, tuberkulozi, kequshqyerja, kanceri dhe diabeti, tha ai.

Shtetet e Bashkuara janë kontribuesi më i madh i OBSH-së, me më shumë se 400 milion dollarë për vitin 2019, afërsisht 15% e buxhetit të saj.

“OBSH-ja po shqyrton ndikimin që mund të ketë në punën tonë një tërheqje e fondeve amerikane. Ne do të punojmë me partnerët për të mbuluar çdo boshllëk financiar me të cilin përballemi dhe për të siguruar që puna jonë do të vazhdojë e pandërprerë,” ka thenë ndër të tjera drejtuesi i OBSH.

Ndërkohë një ditë më parë Presidenti Trump është shprehur se  OBSH-ja ndihmoi dezinformimin kinez për virusin, dhe kjo çoi ndoshta në një zgjerim të përmasave të shpërthimit. Ai tha se OBSH-ja dështoi të hetonte njoftime të besueshme nga burime në Ëuhan të Kinës që ishin në kundërshtim me ato që thoshte Pekini mbi përhapjen e koronavirusit, duke “përsëritur dhe miratuar publikisht” idenë se nuk kishte transmetim të sëmundjes nga njeriu tek njeriu.

Vendimi i Presidentit Trump që pezullon financimin e OBSH-së për shkak të trajtimit nga kjo organizatë të krizës shëndetësore globale u kritikua të mërkurën nga disa udhëheqës botërorë, ndërkohë që infeksionet në botë e kaluan shifrën 2 milion./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!