I ekzekutuan motrën dhe ishte vetë pranë vdekjes, drama e Badu

schedule08:49 - 15 Prill, 2020

schedule 08:49 - 15 Prill, 2020

Emmanuel Agyemang Badu ka kaluar momente shumë të këqija vitin e shkuar dhe në fillim të këtij viti. Mesfushori i Hellas Verona përjetoi një ngjarje të dhimbshme muajin e kaluar, kur motra e tij, Hagara, u qëllua me armë dhe mbeti e vdekur.

Badu, i cili për vite të tëra ka luajtur me Udinese, pati edhe vetë një problem shëndetësor që i rrezikoi jetën. Për BBC Wold Service ka rrëfyer këto dy momente të vështira në jetën e tij.  “Viti 2019 dhe 2020 kanë qenë më të vështirat e jetës sime”, nis rrëfimin mesfushori ganez.

“Vetë gati sa nuk vdiqa, dëmtimet ishin të shumta dhe pastaj humba motrën time në një mënyrë shumë të dhimbshme. Është shumë e vështirë për mua dhe familjen time. Djali që vrau motrën time është akoma i arratisur. Policia ende nuk e ka arrestuar, për shkak të situatës së krijuar nga virusi. Ishte një katastrofë”, shton 29-vjeçari.

 

Gjatë kësaj periudhe të gjithë e kanë mbështetur Badu: “Më duhet të falënderoj familjen, shokët skuadrën dhe agjentin tim. Trajneri më ka telefonuar çdo ditë të më pyesë si jam. Të njëjtën gjë ka bërë edhe presidenti dhe menaxheri i ekipit. Të gjithë kanë qenë të mrekullueshëm. Pa ata, do të kishte qenë një katastrofë”.

Mesfushori rrëfen edhe momentin tjetër të vështirë që pati: “Mëngjesin pas një ndeshjeje, shkova të stërvitem në palestër. Atë natë u ktheva në shtëpi dhe kisha vështirësi në frymëmarrje. Nuk e mora seriozisht në fillim, mendova se ishte nga lodhja. Në mëngjes më dhanë ca qetësues për dhimbjen. Natën tjetër ishte edhe më keq.

Në orën 2 të natës e thirrma mjekun dhe fatmirësisht ai ishte zgjuar. Ai dërgoi një fizioterapist, i cili ishte afër meje. Ai erdhi dhe më që duhet të shkonim direkt në spital. Doktorët zbuluan se kisha një mpiksje gjaku në mushkëri. Duhet të ndaloja së luajturi futboll për 3-4 muaj. Ishte shumë serioze. Po të mos telefonoja mjekun, do kishte qenë katastrofë”.

 

Më pas zbarkoi Coronavirusi: “Nga gushti në dhjetor nuk kam bërë asgjë. U ktheva me ekipin për 3-4 javë dhe fillova të kem pak minuta. Më pas ndodhi kjo situatë me virusin. Nuk kam çfarë bëj për këtë. Thjesht falënderoj Zotin që jam gjallë. Tani jam mirë. Jeta është më me vlerë se futbolli, kështu që duhet të kujdesemi për veten. Qëndroni të sigurt në shtëpi dhe kjo situatë do kalojë shpejt, kështu që më pas të gjithë do të bëjmë ato gjëra që duam më së shumti”.

Badu është munduar të ndihmojë popullin e tij në Ganë, duke dhuruar maska, doreza dhe dezinfektues për spitalet. “Parandalimi është më i mirë se kurimi. do doja që të gjithë të ishin të sigurt. Jam këtu vetë dhe e di sa shumë po mundohen. Kështu që të gjithë ne duhet të ndihmojmë dhe të kujdesemi për njerëzit në Afrikë”, përfundon mesfushori i Hellas Verona, i cili është shok skuadre me dyshen e mbrojtjes, Marash Kumbulla-Amir Rrahmani. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!