Danilo Cataldi, mesfushoi 25 vjeçar italian, ka qenë një pikë kyçe e skuadrës së Lazios këtë sezon, që po bënte ndeshje të mëdha në Serie A. Lacialët janë rivalët kryesorë dhe të vetëm të Juventusit për titullin kampion. Cataldi, mezi po pret rifillimin e sezonit, madje ka dhe një mesazh për Juventusin…
“Deri më tani, kemi bërë një sezon fantastik, por do të rikthehemi edhe më të fortë dhe do të vazhdojmë të bëjmë të lumtur tifozët tanë. Dëshira është të marrim gjithmonë maksimumin, në çdo ndeshje, por dëshira e momentit është vetëm të rikthehemi të luajmë, futbolli po na mungon.
Nuk është e njëjtë stërvitja si në shtëpi, si në fushë. Duhet të kthehemi sa më shpejt dhe të bëjmë gjithçka për të fituar kampionatin. E vështirë, por jo e pamundur.
Nuk është e lehtë të ruash të njëjtin ritëm me Juventusin, por jemi aty dhe nuk do të dorëzohemi. Objektivi ynë në fillim të sezonit ishte Champions League, por kemi vazhduar të rrisim performancat dhe objektivat. Kemi një grup shumë të fortë. Më ka marrë malli për të gjithë (qesh)”, u shpreh Cataldi për faqen zyrtare të Lazios./abcnews.al