Çfarë ndodh me kontratat dhe merkaton, ABC News siguron dokumentin e FIFA-s

schedule19:05 - 11 Prill, 2020

schedule 19:05 - 11 Prill, 2020

Pandemia mbarë botërore COVID-19 ka sjellë ndërprerjen imediate të futbollit, duke pezulluar aktivitete në pothuajse çdo shtet apo territor në mbarë botën. FIFA së fundmi u ka shpërndarë një dokument sqarues të gjitha federatave anëtare që më pas ato ia kanë kaluar klubeve respektive. FIFA ka marrë kërkesa dhe pyetje të shumta, shumica e së cilave lidhen me Rregulloret e FIFA-s kryesisht  për Statusin dhe Transferimin e Lojtarëve (RSTP).

Dhe në këtë drejtim, Federatave përkatëse u është kërkuar që të regjistrojnë datat për një “sezon” në sistemin e transferimeve të FIFA-s (TMS), i cili përfshin një vit të plotë kalendarik. Në dokumentin e siguruar nga ABC News dhe që tashmë u është shpërndarë edhe klubeve ,bëhet me dije që:

– Marrëveshjet e punës priten të vendosen në zbatim në datën fillestare të fillimit të sezonit tjetër.

– Kur një marrëveshje pritet të përfundojë në datën fillestare të përfundimit të një sezoni, ky përfundim mund të zgjatet deri në datën e re të përfundimit të sezonit.

– Kur një marrëveshje pritet të vendoset në zbatim në datën fillestare të fillimit të një sezoni të ri, kjo do të shtyhet deri në datën e re të fillimit të sezonit të ri.

– Në rast të mbivendosjes së sezoneve dhe/ose periudhave të regjistrimit, dhe përveç nëse të gjitha palët bien dakord ndryshe, do t’i jepet përparësi klubit të mëparshëm për të përfunduar sezonin e tyre me skuadrën e tyre fillestare.

– Çdo pagesë, që sipas kontratës duhet të paguhet para datës së fillimit të një marrëveshje, duhet të shtyhet deri në datën e re të fillimit të një sezoni të ri, ose periudhën e parë të regjistrimit.

FIFA ndërkaq rekomandon që në mënyrë që të garantohet disi paga për lojtarët dhe trajnerët, duhen që të shmangen mosmarrëveshjet, të mbrohet qëndrueshmëria kontraktuale dhe të sigurohet që klubet nuk do shkojnë drejt falimentimit, duke marrë parasysh ndikimin financiar të COVID-19 te klubet.

 

Dokumenti i siguruar nga ABC News

Sipas FIFA-s: Vendimet e njëanshme për ndryshimin e kushteve dhe afateve të kontratave do të njihen vetëm nga Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve të FIFA-s (DZK) ose Komisioni i Statusit të Lojtarit (PSC), ku ato jepen me mirëbesim, janë të arsyeshme dhe në baza proporcionale. Ndërkaq, në lidhje me periudhat e regjistrimit rekomandohet që:

– Të miratohen të gjitha kërkesat për një zgjatje të datës së mbarimit të sezonit aktual.

– Federatat të miratojnë gjitha kërkesat për zgjatjen ose ndryshimin e periudhave të regjistrimit që tashmë kanë filluar, me kusht që kohëzgjatja e tyre të jetë në përputhje me kufirin maksimal (d.m.th. 16 javë)

– Të lejohet që FA-të të ndryshojnë datat e sezonit dhe/ose periudhat e regjistrimit, brenda sistemit

– Një profesionist, kontrata e të cilit ka përfunduar ose është zgjidhur si rezultat i COVID-19 ka të drejtën të regjistrohet nga një Federatë jashtë periudhës së regjistrimit, pavarësisht nga data e përfundimit ose zgjidhjes./abcnews.al